Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Myslim Murrizi, i ftuar në studion e emisionit Kjo Javë në News24, ka komentuar denoncimet e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra, teksa ai kërkohet nga SPAK.

Gjatë intervistës, Murrizi u shpreh kritik ndaj Ahmetajt, duke deklaruar se sipas tij ai nuk ka qenë i drejtë në deklarimet e bëra publikisht dhe nuk ka folur për aferat e tij të mundshme.

Sipas Murrizit, një nga çështjet për të cilat, sipas tij, Ahmetaj nuk ka folur është ajo që lidhet me Bankers Petroleum, të cilën ai e cilësoi si një nga vjedhjet më të mëdha në Shqipëri, duke pretenduar se miliarda euro nuk janë paguar në formë tatim fitimi.

Ai shtoi gjithashtu se Ahmetaj nuk ka folur as për procesin e rindërtimit pas tërmetit, duke sjellë si shembull diferencat, sipas tij, mes rindërtimeve në disa bashki, ku pretendoi se ka pasur pabarazi në shpërndarjen e projekteve.

“Nuk ka folur për Bankers, ajo është vjedhja më e madhe e shkelullit në Shqipëri. 15 miliard euro të shqiptarëve janë rrëmbyer nga kanadezo-kinezo-shqiptarët dhe nuk kanë paguar kokërr leku tatim fitimi. Ahmetaj nuk ka folur as për Rindërtimin pas tërmetit. Bashkia Rrogozhinë për shembull ka 8-10 herë më shumë rindërtime se Bashkia e Kavajës, e cila ka pasur më shumë dëmtime, por Kavaja ka kryebashkiak një njeri të PD. Ndaj ka ndodhur”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb