Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Durrësit që preken nga projekti TID.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se është arritur dakordësia me 34 nga familjet që kundërshtojnë projektin, ndërsa u shpreh se pjesa tjetër që krijojnë sipas tij situata, janë të lidhur me Partinë Demokratike dhe kreun e saj.

Rama u shpreh i bindur se pavarësisht gjithçkaje projekti nuk do të ndalet dhe se do të verifikohen vetëm disa banesa të cilat dyshohet se kanë vlera kulturore.

“Me 34 qytetarë të Durrësit përfaqësues të familjeve kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë kronstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë qytetarët apo qytetin por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari, krijojnë situata që janë qesharake e që tregojnë ku është katandisur ajo farë partie. Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet të një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohës.”, tha Rama për mediat.

***

Ndërkohë në ambientet e jashtme të Bashkisë së Durrësit, Rama u prit thirrje protestuese nga disa qytetarë, që pretendojnë se preken po ashtu nga ky projekt. “O hajdut”, iu drejtuan ata ndërsa Rama u tha se ata s’kanë lidhje, dhe se janë “PD”, duke nënkuptuar se janë të nxitur politikisht për të qenë aty.

“Çfarë qytetarësh, ju jeni partia demokratike, këta janë qytetarët, unë ja ku jam me ta. Ju jeni PD. Unë me këta jam…”, tha Rama duke iu drejtuar atyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb