Para derbit ndaj Partizanit, trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të gazetarëve.

“Në fakt, stafi mjekësor po mundohet që të rikuperojë futbollistët të cilët kanë pasur shqetësime. Kemi edhe një stërvitje dhe duhet parë gjendja e tyre si do të jetë në stërvitje.

Ndeshje e rëndësishme për skuadrën tonë, shumë e veçantë por edhe speciale për tifozët. Padiskutim do të jetë sfidë e fortë dhe e luftuar, futbollistët janë gati për këtë ndeshje, po punojnë me seriozitetin më të madh. Ndeshje e cila duhet të kesh kujdes çdo detaj, fokusi është i lartë i skuadrës. Gjithashtu e shoh si grup të bashkuar për t’u ballafaquar në ndeshjen e nesërme.

Nuk ishte e mirë ndeshja e fundit, por nuk lejojmë që të jetë përqendrimi aty se nuk kemi kohë për të humbur. Atë ndeshje nuk mund ta kthejmë, me atë ndeshje do të merremi në momentin kur të vijnë ndeshja e kthimit, për atë ndeshje nuk mund të bëjmë asgjë, por nesër mund të bëjmë shumë gjëra. Besoj tek grupi, kualiteti i skuadrës, por ndeshje të tilla si e nesërmja do vërtet përqendrim maksimal, angazhim maksimal dhe besoj fuqishëm se të gjithë futbollistët do e bëjnë me përgjegjësi. Siç jemi futur në vitin 2026, për ne çdo ndeshje ka qenë e rëndësishme. Gjithashtu edhe nesër do të jetë e rëndësishme e besojmë ta kalojmë me sukses.

Mungesat i kemi, do të përqendroheni te futbollistët që kemi, jam i bindur se secili do të bëjë maksimumin për të ndihmuar skuadrën. Nuk do kërkojmë justifikim, por paraqitje me dinjitet e shumë përqendrim që të dalim me rezultat.

Fokusin ta kemi te ndeshja nesër, e dimë sa e rëndësishme është të fitohet ndeshja nesër. Për të arritur mbijetesën duhet të fitojmë takimin. Besoj fuqishëm te karakteri i djemve se po na dëshmojnë nga dita-ditës, po na bëjnë të besojmë edhe më shumë se po e kërkojnë përmirësimin në vazhdimësi, po punojnë si në seanca stërvitore, ashtu edhe në takime.

Zakonisht i përgatitim ndeshjet për të fituar, por nuk diskutohet që tregojmë respekt për kundërshtarin. Do të futemi në ndeshje për ta fituar, por gjithmonë duke parë që është ndeshje derbi, nuk njeh statistika, nuk njeh klasifikim, as cilësi por do zemër, karakter e personalitet në fushë.

Pres në fakt nga kompaktësia e grupit se duhet të luhet në atë formë, duke mbrojtur të gjithë bashkë, duke filluar nga sulmuesit, të sulmojmë të gjithë bashkë me një përqendrim të jashtëzakonshëm se e theksova që detajet bëjnë diferencën.

E di që do të ketë numër të madh tifozësh, ata do të jenë forca jonë. Le të mbështesin skuadrën e tyre, të mbështesin këta futbollistë sepse me të vërtetë që e meritojnë me atë që po na japin”, tha Nuhiu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb