Kryeministri Edi Rama ka komentuar në nisje të podcastit të tij Flasim rastin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme ligjore pas asaj që e cilësoi si “mosmarrje e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë/;.
Rama deklaroi se çështja nuk lidhet me individin, por me parimin e ndarjes së pushteteve kushtetuese. Sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullimin e një ministri si masë sigurie penale ka nxjerrë në pah një boshllëk ligjor dhe institucional, duke shtuar se në një sistem pa kulturë të konsoliduar demokratike, përveç frymës së Kushtetutës, nevojitet edhe përcaktim i qartë ligjor.
Kryeministri theksoi se gjykatat kanë të drejtë të vendosin masa sigurimi për çdo person nën hetim, por shtoi se disa funksione shtetërore, si ai i ministrit, paralizohen nëse titullari pezullohet nga detyra. Sipas tij, pezullimi i ministrit prodhon në praktikë të njëjtin efekt me shkarkimin, ndërsa emërimi dhe shkarkimi i ministrave, sipas tij, janë kompetenca ekskluzive të ekzekutivit.
Rama u shpreh se drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe se aktualisht është e tillë, por theksoi se pavarësia e saj nuk duhet të ndërhyjë në pavarësinë e pushteteve të tjera, si ekzekutivi dhe legjislativi.
Ai njoftoi se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të hënën do të depozitohet një nismë ligjore për të adresuar “boshllëkun e konstatuar”. Sipas Ramës, nisma do të dorëzohet në cilësinë e deputetit, në bashkëpunim me kreun e grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.
Kryeministri shtoi se nisma do t’i paraqitet grupit parlamentar dhe procesi do të jetë transparent, me prezantimin që do të bëhet në prani të mediave.
“Dua të ndalem edhe për një sqarim të nevojshëm lidhur me konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar këtë javë pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse përsëri, si zakonisht, fillon qarkullon në ajër një tymnajë interpretimesh nga më të ndryshmet. Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstract, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese, që të thotë: një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk që është një boshllëk që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish dhe, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo.
Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.
Pra, faktikisht nëse ti thua që “unë pezulloj një minister”, “unë pezulloj Presidentin e Republikës”, “unë pezulloj Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ku di unë disa të tjerë që mbulojnë funksione të padelegueshme, faktikisht, ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin, sepse nuk është pezulluar thjesht personi, siç mund të ndodhë me një drejtor, punën e të cilit e bën dikush tjetër, por është pezulluar funksioni.
Ndërkohë që, pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit, nuk është gjëkundi kurrë në asnjë vend të botës mund ta them me plot gojën tani, sepse nuk e ka nxjerrë dot kush një rast, kur në një vend të botës, kjo kompetencë është e një prokurori dhe një gjykatësi në një seancë paraprake, drejtësia duhet të jetë e pavarur.
Sot ajo është e pavarur dhe duhet të mbetet përgjithmonë e pavarur, por pavarësia e pushtetit gjyqësor mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat ndër të tjera kanë edhe të drejtën dhe detyrën të emërojnë apo të shkarkojnë ministra dhe kjo e drejtë dhe detyrë, nuk ndahet me gjyqësorin, nuk i takon gjyqësorit dhe nuk mund të lejohet që ta marrë gjyqësori.
Gjithsesi, tanimë kur as Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për rastin konkret, ne do të kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën në cilësinë e deputetit, unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do t’i paraqitet fillimisht, Grupit Parlamentar në mbledhjen e tij të fillim javës, ditën e hënë në mëngjes, dhe do të jetë transparente edhe për opinionin publik, pasi prezantimi i nismës do të bëhet me praninë e medias”, tha Rama.
