Java e 22-të e kampionatit të Kategorisë së Parë prodhoi ndeshje emocionuese dhe shumë gola, me skuadrat e kreut që vazhdojnë garën e fortë për objektivat sezonalë.

Skënderbeu mori një fitore të rëndësishme 3-2 ndaj Apolonisë, duke u rikthyer te suksesi pas barazimit të javës së kaluar dhe duke ruajtur vendin e parë me 51 pikë.

Ndjekësi më i afërt, Laçi, vazhdon formën fantastike. Bardhezinjtë mposhtën 2-1 Besën dhe regjistruan fitoren e tetë radhazi, duke shkuar në kuotën e 48 pikëve dhe duke mbajtur presionin maksimal ndaj kryesuesve.

Në vendin e tretë qëndron Pogradeci që triumfoi 2-0 ndaj Burrelit dhe ngjitet në kuotën e 43 pikëve, duke mbetur në garë për objektivat madhorë.

Në sfidat e tjera, AF Luftëtari fitoi 2-1 ndaj Kastriotit, ndërsa Kukësi mundi 4-2 Korabin në një ndeshje të hapur dhe spektakolare.

Ndërkohë, Iliria fitoi 2-1 ndaj Lushnjes, duke siguruar një fitore të rëndësishme në javën e 22-të.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb