Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar në rrjetin social facebook lidhur me debatin për kërkesën e Prokurorisë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në reagimin e tij, Bardhi akuzon kryeministrin Rama se po përpiqet ta shndërrojë një hetim penal në një debat teorik për ndarjen e pushteteve, duke e cilësuar situatën si “çështje frike nga humbja e pushtetit”.
Sipas tij, ligji është i qartë dhe parashikon pezullimin nga detyra si masë procedurale, e cila – thekson Bardhi – nuk shkarkon ministrin dhe nuk paralizon institucionin, por ndalon përkohësisht ushtrimin e funksionit për të mbrojtur procesin penal.
“Të thuash se “pezullohet funksioni” është deformim i qëllimshëm. Gjykata nuk pezullon qeverinë. Pezullon një individ nga ushtrimi i detyrës”, shprehet ai.
Mesazhi i plotë
Kur frika nga humbja e pushtetit bëhet parim; fotografitë ceremoniale as nuk krijojnë imunitet politik, as nuk zëvendësojnë ligjin.
Edi Rama po përpiqet ta shndërrojë një hetim penal ndaj Belinda Ballukut në një debat teorik për ndarjen e pushteteve. Por kjo nuk është çështje parimi. Është çështje frike.
Ligji është i qartë: pezullimi nga detyra është masë e parashikuar në Kod. Ai nuk shkarkon ministrin, nuk paralizon shtetin, nuk prek institucionin. Ndalon përkohësisht personin nën hetim të ushtrojë funksionin, për të mbrojtur procesin penal.
Të thuash se “pezullohet funksioni” është deformim i qëllimshëm. Gjykata nuk pezullon qeverinë. Pezullon një individ nga ushtrimi i detyrës.
Në BE dhe në SHBA, kur një zyrtar përfshihet në hetim për korrupsion, ai largohet. Jep dorëheqjen. Nuk ndryshon ligjin për të mbrojtur veten, siç po bën Edi Rama. Prandaj, firmosja prej tij e ndryshimit të ligjit pikërisht në momentin kur Parlamenti duhet të shqyrtojë kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, nuk ka të bëjë me ndonjë parim kushtetues. Është ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe për të krijuar një imunitet të ri për pushtetin.
Por thelbi sot nuk është vetëm pezullimi. Thelbi është kërkesa për arrest e Belinda Ballukut, që ndodhet në Kuvend prej gati dy muajsh dhe trajtohet nga Edi Rama sikur nuk ekziston.
Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë qenë të qartë: procedura duhet të vazhdojë pa vonesë. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet. Parlamenti duhet të votojë.
Respekti ndërkombëtar nuk fitohet me fotografi protokollare. Ai fitohet me respekt për shtetin ligjor.
Sepse nëse pengon drejtësinë në Tiranë, nuk të shpëton asnjë foto ceremoniale në Uashington.
