Kryeministri Edi Rama viziton sot Kosovën, në prag të festës së saj të pavarësisë. Nesër mbushen 18 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë kryeministri Rama do të takojë krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, nga presidentja Vjosa Osmani, te homologu i tij i sapokonfirmuar, Albin Kurti.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kryeministri Rama do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe më pas me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Po ashtu Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për rregullimin e trafikut gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vend.

Sipas njoftimit, për të mundësuar qarkullimin e lirë të eskortës, nga pika kufitare në Aeroport dhe përgjatë itinerarit të paraparë sipas agjendës zyrtare, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore.

“Më datën 16 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb