Finalizohen faza të tjera të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ekstradohen nga Danimarka, Franca dhe Italia, 3 shtetas, të dënuar/të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u ekstradua nga Danimarka, shtetasi Daniele Matoshi alias Daniele Çela alias Oklid Cela, nga Franca, shtetasi Christopher Rudoviç dhe nga Italia, shtetasi Gazmir Mjelli alias Gazmir Hamzaj.
NJOFTIMI I POLICISE
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të 3 shtetasve që kanë qenë në kërkim ndërkombëtar.
-U ekstradua nga Danimarka, shtetasi Daniele Matoshi alias Daniele Çela alias Oklid Cela , 38 vjeç, i lindur në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Shtetasi D. M. ka qenë i dënuar nga Gjykata e Kristiansand, Norvergji, me 13 vjet burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Mbi bazën e materialeve të dërguara nga autoritetet norvegjeze dhe nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan kanë rezultuar pasuri (prona) të pajustifikuara në emër të tij dhe të familjarëve së tij.
-U ekstradua nga Franca, shtetasi Ch. R., 25 vjeç, i lindur në SHBA.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 05.11.2024, e ka dënuar me 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në muajin qershor 2024, në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrollit me skaner, në valixhet e këtij shtetasi janë gjetur 2 armë të ftohta (thika metalike).
-U ekstradua nga Italia, shtetasi G. M. alias G. H., 39 vjeç, i lindur në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 13.07.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ky shtetas akuzohet se i ka marrë një shumë parash, shtetasit Gj. K., duke e mashtruar se do ta ndihmonte për të shkuar në Itali, në mënyrë të paligjshme.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
