Partia Socialiste ka prezantuar sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar ndryshimet mbi pezullimin nga detyra të zyrtarëve të lartë.

News24 ka zbardhur relacionin e PS, ku theksohet mes të tjerash se do të ruhen të paprekura kompetencat e organeve të drejtësisë.

Dokumenti:

Projektligji i propozuar synon plotësimin e pikës 2 të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, me qëllim zgjerimin e rrethit të subjekteve ndaj të cilëve nuk do të zbatohet masa përkatëse ndaluese e pezullimit nga detyra, e parashikuar në këtë dispozitë.
Qëllimi i ndërhyrjes është garantimi i funksionimit normal, të pandërprerë dhe kushtetues të institucioneve më të larta të shtetit, duke ruajtur të paprekura kompetencat e prokurorisë dhe të gjykatës për hetimin dhe ndjekjen penale.
Ndryshimi nuk synon të kufizojë juridiksionin penal dhe as të krijojë paprekshmëri, por të vendosë një balancë ndërmjet ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe nevojës për garantimin e rendit juridik, në përputhje me nenin 7 të Kushtetutës që sanksionon ndarjen dhe balancimin e pushteteve.

II. KUADRI NORMATIV DHE DALLIMI NDËRMJET MASAVE

Kodi i Procedurës Penale bën një dallim të qartë ndërmjet masave shtrënguese dhe masave ndaluese. Masat shtrënguese, të parashikuara në nenin 232 të Kodit, janë masa sigurimi personal që kufizojnë drejtpërdrejt lirinë fizike të individit, si ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrimi për paraqitje në policinë gjyqësore, arresti në shtëpi, arresti në burg apo shtrimi i përkohshëm në një spital psikiatrik. Këto masa prekin të drejtën themelore të lirisë personale të garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe vendosen vetëm me vendim gjykate. Masat ndaluese, të parashikuara në nenin 240 të Kodit, kanë karakter funksional dhe konsistojnë në pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik ose në ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive profesionale apo afariste. Ato nuk kufizojnë lirinë fizike, por ndikojnë në ushtrimin e funksionit.
Ndryshimi i propozuar në nenin 242/2 nuk prek strukturën e masave shtrënguese, nuk ndryshon kriteret e aplikimit të tyre dhe nuk cenon kompetencën e gjykatës për caktimin e tyre sipas ligjit.

III. NATYRA JURIDIKE E NDRYSHIMIT TË PROPOZUAR

Ndërhyrja e propozuar ka natyrë procedurale dhe nuk përbën zgjerim të imunitetit kushtetues. Ajo nuk ndryshon dispozitat kushtetuese që rregullojnë imunitetin e funksioneve të caktuara dhe nuk vendos privilegj substancial.
Subjektet e përfshira mbeten plotësisht të hetueshme dhe të ndjekshme penalisht. Organi i akuzës ruan të drejtën për të kryer hetime dhe për të ushtruar ndjekjen penale. Gjykata ruan kompetencën për të vendosur masa sigurimi personal në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.
Ndryshimi synon vetëm të parashikojë një trajtim procedural të diferencuar për funksione të caktuara kushtetuese, në mënyrë që ushtrimi i tyre të mos pengohet në mënyrë të panevojshme, duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe balancën institucionale.

IV. ARGUMENTIMI KUSHTETUES DHE HIERARKIA NORMATIVE

Projektligji është në përputhje me nenin 4 të Kushtetutës, i cili sanksionon se Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe se dispozitat e saj kanë përparësi ndaj çdo akti tjetër normativ. Në përputhje me nenin 116 të Kushtetutës, ligji duhet të jetë në harmoni me aktet me fuqi më të lartë juridike.
Ndryshimi respekton nenin 7 të Kushtetutës, që parashikon ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Ai nuk ndërhyn në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe nuk kufizon juridiksionin penal, por harmonizon ushtrimin e funksioneve kushtetuese me procesin penal.
Parimi i proporcionalitetit respektohet, pasi ndërhyrja është e kufizuar, nuk heq përgjegjësinë penale dhe nuk pengon hetimin apo gjykimin, por vetëm rregullon mënyrën e aplikimit të një mase të caktuar ndaj funksioneve të nivelit kushtetues.

V. GARANCITË NDAJ SISTEMIT TË DREJTËSISË

Projektligji nuk cenon pavarësinë e prokurorisë dhe të gjykatave. Hetimi penal, ndjekja penale dhe gjykimi mbeten të paprekura. Organet e drejtësisë vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Ndryshimi nuk krijon mburojë ndaj përgjegjësisë penale dhe nuk përjashton asnjë subjekt nga juridiksioni penal.

VI. RËNDËSIA INSTITUCIONALE DHE BAZA KUSHTETUESE E FUNKSIONEVE TË PËRFSHIRA

Funksionet e përfshira në dispozitën e propozuar janë funksione të nivelit kushtetues, të rregulluara drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës rregullohet nga neni 86 i Kushtetutës, sipas të cilit “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Ky funksion ka rol garantues në rendin kushtetues dhe në funksionimin e shtetit.
Avokati i Popullit parashikohet në nenin 60 të Kushtetutës, ku përcaktohet se ai mbron të drejtat dhe liritë e individëve nga veprimet apo mosveprimet e administratës publike, duke përbërë një institucion kushtetues të pavarur.
Këshilli i Ministrave rregullohet nga neni 95 i Kushtetutës, i cili përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat” dhe se ushtron funksionet ekzekutive të shtetit. Përgjegjësia e tij politike përpara Kuvendit parashikohet në nenin 104 të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese rregullohet nga neni 124 i Kushtetutës, sipas të cilit ajo garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Anëtarët e saj ushtrojnë një funksion të pavarur në sistemin e kontrollit kushtetues.
Kontrolli i Lartë i Shtetit rregullohet nga neni 162 i Kushtetutës, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar.
Përfshirja e këtyre funksioneve në dispozitën e nenit 242/2 lidhet me natyrën e tyre kushtetuese dhe me nevojën për të garantuar ushtrimin e pandërprerë të kompetencave që Kushtetuta u ka ngarkuar, pa cenuar përgjegjësinë penale dhe pa ndërhyrë në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

VII. PËRFUNDIME

Projektligji përfaqëson një ndërhyrje të balancuar dhe të harmonizuar me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ai respekton nenet 4, 7 dhe 116 të Kushtetutës, nuk zgjeron imunitetin kushtetues, nuk cenon pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe nuk kufizon kompetencat e prokurorisë apo të gjykatës. Ndryshimi ka natyrë procedurale dhe synon garantimin e funksionimit normal të institucioneve kushtetuese, në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës dhe me balancën ndërmjet pushteteve. Për këto arsye, projektligji paraqitet për shqyrtim dhe miratim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb