Prishtina ka shënuar fitore bindëse 4:1 ndaj Llapit, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në stadiumin ”Fadil Vokrri” në kuadër të xhiros së 20-të të AlbiMall Superligës së Kosovës.

Llapjanët e nisën më mirë takimin, duke kaluar në epërsi në minutën e 8-të me golin e Fitim Ademit. Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i shpejtë.

Valmir Veliu barazoi rezultatin në minutën e 35-të, ndërsa vetëm dy minuta më pas Mario Ilievski realizoi për 2:1, duke përmbysur shifrat brenda një intervali shumë të shkurtër.

Në pjesën e dytë, Prishtina e menaxhoi mirë lojën dhe e vulosi fitoren edhe me dy gola të tjerë. Veliu realizoi për 3:1 në minutën e 70-të, ndërsa Ilievski në minutën e 73-të shënoi golin e katërt dhe të fundit të takimit.

Me këtë fitore, Prishtina barazohet me pikë me liderin Ballkanin (36 pikë), megjithëse portokallezinjtë nga Sukareka ndeshjen e kësaj jave e luajnë nesër ndaj Malishevës. Llapi mbetet në vendin e shtatë me 22 pikë.

Prishtina e Re ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur 1:0 Ferizajn në takimin e zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Fituesi u vendos në sekondat e fundit të ndeshjes. Drilon Fazliu realizoi golin e vetëm në minutën e 99-të, duke i dhënë fund serisë prej tri humbjeve radhazi të skuadrës së tij në të gjitha garat.

Pavarësisht fitores, Prishtina e Re mbetet në pozitën e fundit me 18 pikë, një më pak se Ferizaj që renditet i parafundit.

Dukagjini ka shmangur humbjen në sekondat e fundit, duke barazuar 1:1 ndaj Gjilanit në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.

Fusha në “18 Qershori” nuk ishte në gjendjen më të mirë për shkak të reshjeve të fundit të shiut, çka ndikoi edhe në ritmin e lojës.

Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 62-të me golin e Senad Jaroviqit dhe ishte shumë pranë fitores, por në minutën e 96-të braziliani Vitor Hugo barazoi shifrat në 1:1, duke siguruar një pikë të vlefshme për vendasit.

Për Dukagjinin ky ishte barazimi i gjashtë i edicionit, krahas tetë fitoreve dhe gjashtë humbjeve. Ndërkohë, Gjilani regjistron shtatë fitore, gjashtë barazime dhe shtatë humbje pas 20 xhirove.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb