Të shokuar nga disfata përballë Atletico Madrid, Barça jo vetëm që nuk reagoi, por pëson një tjetër humbje të rëndë, këtë herë në La Liga, në transfertë përballë Girona-s. Ekipi i Hansi Flick po përjeton një krizë të vërtetë këtë periudhë duke lëshuar edhe kreun në Spanjë, tani pronë e Real Madrid, dy pikë larg.

Të pafuqishëm në fazën sulmuese, Barça prodhoi pak, por në limitet e pjesës së parë, Dani Olmo fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë Lamine Yamal ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule duke shpërdoruar një rast të artë. Pavarësisht këtij detaji, në pjesën e dytë, në minutën e 59-të Cubarsi realizoi një gol shumë të bukur me kokë duke kaluar Barçën në avantazh.

Festa nuk zgjati shumë pasi dy minuta më vonë, Girona barazoi shifrat, me Lemar që i pa shqetësuar në zonë e kishte shumë të lehtë të shtynte topin shumë pranë vijës fatale. Girona nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 86-të, Beltran me një goditje të saktë befasoi Barçën duke përmbysur rezultatin në 2-1. Flick spostoi ekipin në gjysmëfushën e Girona-s, madje në shtesë gjetën edhe golin e barazimit, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje të Lewandowski-t. Vendasit mbrojtën në çdo formë këtë trepikësh të artë, madje duke shkaktuar edhe një faull të rëndë ndaj Yamal duke e mbyll ndeshjen me 10 lojtarë.

Pas këtij takimi, Hansi Flick pranoi se ekipi i tij ka disa probleme: “Nuk po kalojmë një moment të mirë këtë periudhë, mbi të gjitha në trazicionin defensivë. Problemet janë përtej individëve apo episodeve. Pozicionimi ynë në fushë lë për të dëshiruar, mbi të gjitha në mesfushë, ishim shumë të hapur. Gara për titull? Rruga është ende e gjatë. Tani jemi në vendin e dytë, por ka kohë për të reaguar”, u shpreh Hansi Flick.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb