Presidenti Bajram Begaj ishte sot pjesë e seancës solemne që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, në nder të 18- vjetorit të pavarësisë.
Ai u shpreh se gëzimi i kësaj feste prek sot çdo shqiptar, ndërsa ka shtuar se Kosova sot ecën e sigurt drejt së ardhmes, pa harruar të shkuarën dhe sakrificat e bëra.
“Çdo familje shqiptare sot ndihet pjesë e festës, gëzimit dhe krenarisë. Sot është një ditë e madhe, Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësinë.
Ky përvjetor është dëshmi se Kosova është tashmë realitet.
Kosova ecën sot me hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar të shkuarën dhe sakrificat e bëra.
Kosova është histori e jetuar suksesi që na bën krenar, ne dhe partnerët.
Mendimi ynë është me ata që dhanë jetën për liri, por edhe me ata që po përballen me një betejë të pa drejtë në Hagë! Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen në Hagë me akuza të montuara, duke na bërë të gjithë të ndjehemi të fyer”, tha ai.
Fjala e plotë:
Është kënaqësi për mua të jem sot prezent në këtë solemnitet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në emër të Republikës së Shqipërisë, ju uroj gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Çdo shqiptar, kudo ndodhet, çdo familje shqiptare në Shqipëri a diasporë, sot ndihet pjesë e festës, e gëzimit, e urimit dhe krenarisë.
Sot është një ditë e madhe. Sot, Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu, kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej, sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon.
Kosova e sotme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ajo ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua. Intelektualët dhe studentët, mendimtarët dhe luftëtarët, u bashkuan rreth idesë së pavarësisë dhe luftuan me sukses për ideale të mëdha, për lirinë, për të drejtat e tyre, për identitetin kombëtar shqiptar dhe mbijetesën. Nga mençuria dhe vizioni paqësor e largpamës i Presidentit Ibrahim Rugova, që i dha Kosovës miqtë, orientimin Euroatlantik dhe besimin në vlera, nga Adem Demaçi, që me sakrificën e tij për liri e bashkim u shndërrua në ndërgjegje kombëtare, te pushka,trimëria dhe heroizmi i Heroit tonë Kombëtar Adem Jashari, dhe lufta e drejtë çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i dha Kosovës lirinë, ky popull ka treguar se ështëqëndresat dhe i pathyeshëm. Kosova ishte me fat që i pati, i rriti, i besoi dhe sot i mban ashtu siç e meritojnë: simbole frymëzuese të Republikës së Kosovës.
Kosova është një histori e jetuar suksesi, një histori që bën krenar kombin tonë dhe të gjithë ata që luftuan dhe kontribuuan gjatë viteve e dekadave, por bën krenar, gjithashtu, edhe miqtë e partnerët tanë strategjikë, sidomos SHBA-në dhe bashkësinë perëndimore. Për herë të parë në histori, NATO përdori nenin e angazhimit duke parandaluar katastrofën humanitare, spastrimin etnik, gjenocidin dhe dëbimin kolektiv të qytetarëve të Kosovës, duke mundësuarrikthimin: rikthimin në shtëpitë e tyre, rikthimin në tokën e tyre, rikthimin në shtetin e tyre, rikthimin në familjen e vlerave evropiane.
Në këtë përvjetor, mendimi ynë shkon tek ata që nuk janë fizikisht mes nesh, zemrat tona janë me dëshmorët e lirisë aty ku ata prehen, por sot mendimi ynë është edhe me ata që po përballen me një betejë të vështirë, të padrejtë dhe vendimtare në Hagë.
Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, JakupKrasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Ata,që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot po përballen padrejtësisht me akuza të montuara në Gjykatën Ndërkombëtare, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të fyer, të paragjykuar dhe të akuzuar. Ata, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të gjithë të tjerët që morën armët për të kërkuar lirinë për atdheun e tyre, lirinë për familjet e tyre, tokën e tyre, gjuhën e tyre, të drejtat e tyre, janë siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë kudo, kurdo e në çdo kohë: simbole të lirisë. Ata janëmemorie shtetërore e kombëtare.
E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet e as ndryshohet, sepse liria ka emër, liria meriton respekt, lira meriton drejtësi, liria meriton mirënjohje.
Republika e Shqipërisë është me UÇK-në, me komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, me qytetarët e Kosovës, me dhembjen dhe zemërimin e tyre. Shqipëria ka qëndruar pranë Kosovës, Shqipëria qëndron sot krah Kosovës dhe do të qëndrojë jetë e mot me Kosovën.
Në këtë përvjetor ne kujtojmë se Kosova nuk ishte e vetme në luftën e saj për liri. Mirënjohja jonë e përjetshme shkon për familjen e kombeve perëndimore që u bënë jo vetëm aleatë, por edhe ndërgjegje morale. Mirënjohja jonë e përjetshme shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe miqtë ndërkombëtarë, që ndalën gjenocidin ndaj popullit të Kosovës. Sot, Kosova nuk është vetëm produkt i kësaj ndihme, por një nga mbrojtëset më të qëndrueshme të këtyre vlerave.
Kosova e sotme na bën krenarë. Ajo ka konsoliduar institucionet demokratike, ka zhvilluar procese zgjedhore të qeta e gjithëpërfshirëse dhe ka dëshmuar pjekuri demokratike. Vullneti i qytetarëve, i shprehur qartë në zgjedhjet e fundit, tashmë ka marrë formë institucionale me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re. Sfida e tanishmeështë që ky mandat i besuar nga qytetarët të përkthehet në qeverisje të përgjegjshme, vendimmarrje të guximshme dhe përballim me guxim dhe mençuri të sfidave të dialogut dhe të integrimit evropian.
Urime dhe suksese institucioneve te reja në përmbushjen e përgjegjësive shtetërore!
Bota është në ndryshim. Në pak vite po ndryshojnë dhjetëra vite politika, pakte, modele dhe projekte. Shqipëria dhe Kosova janë të orientuara drejt e pa ekuivok. Kjo nuk është zgjedhja jonë kalimtare, nuk është zgjedhje e rastësishme, është zgjedhja jonë strategjike, afatgjatë dhe pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës është organike, vëllazërore dhe e shenjtë. Ne jemi një komb që rreh në dy shtete. Shqipëria është shtëpia juaj, ashtu si Kosova është shpirti ynë.
Bashkëpunimi ynë në çdo fushë nuk është zgjedhje politike dhe as interes i përkohshëm, është detyrimi ynë ndaj brezave.
Shqipëria dhe Kosova, krah për krah, ecin sot me të njëjtën busull drejt një hapësire ku vlerat e lirisë, demokracisë dhe paqes janë të pacenueshme. Ky 18-vjetor na rikujton se, ashtu siç ishim bashkë në ditët e vështira të mbijetesës, do të jemi bashkë edhe në tryezat e Brukselit, për të dëshmuar se shpirti i shqiptarit ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë e përjetësisht Euroatlantik. Shqiptarët në rajon, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi kanë qenë dhe mbeten një faktor i rëndësishëm emancipues, integrues dhe evropianizues, si dhe kontribuues për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe begatinë në rajonin tonë, por edhe më gjerë.
Nuk mund të ketë Evropë të plotë pa një Kosovë të barabartë mes të barabartëve. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një zë i Kosovës në çdo tryezë ndërkombëtare, derisa flamuri i saj të valëvitet në Organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe në NATO.
Republika e Kosovës e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe heqjen e çdo mase kufizuese.
Një Kosovë e integruar dhe një faktor shqiptar i fuqizuar janë garanci për stabilitet, demokraci dhe fqinjësi të mirë.
Pas 18 vitesh, Kosova nuk është më një projekt shprese. Është një shtet real, me sfida reale dhe me potencial të jashtëzakonshëm. Kosova sot është më e fortë se dje dhe më e përgatitur për sfidat e së nesërmes. Sfidat mbeten, por edhe vendosmëria jonë për t’i përballuar ato është e palëkundur.
E ardhmja e Republikës së Kosovës është evropiane, demokratike dhe e lidhur ngushtë me Republikën e Shqipërisë.
Me këto mesazhe vëllazërore unë dëshiroj të konfirmoj edhe një herë se është i përbashkët për çdo kryetar shteti të Shqipërisë, qeveri apo parti politike, institucion apo qytetarshqiptar urimi që Kosova të ketë progres, të ketë progresdemokratik e mirëqenie për qytetarët e saj, të ketë sukses dhe zhvillim, të forcojë paqen, të avancojë dialogun politik dhe të mbetet jo vetëm shteti me moshën më të re të popullsisë, por edhe shteti që ndërton një të ardhme evropiane për rininë, me rininë dhe në pritshmëritë e të rinjve.
Gëzojeni këtë liri të fituar me gjak dhe të mbajtur me mund dhe sakrifica!
Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi përjetë Pavarësia!
Bekuar qoftë Republika e Kosovës!
Rroftë kombi shqiptar!
Rrofshin miqtë e shqiptarëve!
