Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa.
Ai u shpreh në lidhje me ish-drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke u shprehur se beson se ajo “do të dalë e pastër”, por theksoi se kjo çështje i takon drejtësisë.
Sakaq, ai u shpreh se nuk ka pasur dijeni për aktivitetin e kompanive në hetim, në lidhje me dosjen e AKSHI-t.
“Në radhë të parë desha të vij vetë për të bërë një falënderim për Linda Karçanajn, e cila ka punuar pranë meje për 2 dekada, që kur kemi qenë në bashkinë e Tiranës. E njoh si një njeri të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend. Ju e njihni dhe besoj së ndani mendimin se Linda ka qenë e para që vinte në punë dhe fundit që largohej. Jam pikëlluar për gjithçka që ajo po kalon, për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale, që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë lidhje me Lindën. Unë nuk hyj në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e këtyre kompanive të përfshira në një hetim, por kam dijeni për faktin që Linda është një nënë e vetme me dy fëmijë. Ka një karriere nga më të shkëlqyerat. Me të gjithë partnerët e nivelit të lartë të AKSHI-t, Microsoft, etj. Unë kam dëgjuar fjalët më entuziaste dhe mbresat e jashtëzakonshme për ju dhe Linda Karçanaj. Ajo ndodhet në një kalvar nga ku unë besoj se do të dalë e pastër, por i takon drejtësisë ta thotë këtë gjë. Kjo nuk do të thotë që ti hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe t’i hidhet poshtë revolucioni.
