Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbrojti projektligjin e propozuar nga grupi parlamentar i kësaj force politike, duke theksuar se nisma synon mbrojtjen e shëndetit publik dhe jetës së konsumatorëve shqiptarë.

Sipas tij, projektligji nuk ka karakter politik, por adreson drejtpërdrejt problematikat e sigurisë ushqimore, të evidentuara edhe në progres-raportin e vitit 2025 për Shqipërinë. Ai e cilësoi situatën si “emergjencë kombëtare”, duke argumentuar se gjatë dekadës së fundit kanë munguar masat e nevojshme për të frenuar hyrjen në treg të produkteve të skaduara apo të kontaminuara.

Blushi deklaroi se tregu shqiptar është përmbytur nga produkte të pasigurta, duke përmendur raste të mishit me salmonelë të importuar nga Brazili, si dhe miell të kontaminuar nga Serbia dhe Rusia. Sipas tij, produkte që në vendet e Bashkimit Europian do të asgjësoheshin, përfundojnë në tregun shqiptar, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Deputeti theksoi se sipas raportimeve zyrtare, çdo vit regjistrohen mbi 7 mijë raste të reja të sëmundjeve tumorale, të cilat, sipas mjekëve, favorizohen edhe nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me pesticide dhe substanca të dëmshme.

Ai shtoi se projektligji do të ndihmonte edhe fermerët e ndershëm shqiptarë, pasi mungesa e laboratorëve të specializuar ka penalizuar eksportet e produkteve bujqësore, si mandarinat, pjeshkët dhe luleshtrydhet, të cilat janë kthyer nga vendet e BE-së për shkak të niveleve të larta të pesticideve. Blushi kritikoi gjithashtu nivelin e financimit të sektorit të bujqësisë, duke theksuar se për këtë vit janë parashikuar rreth 50 milionë euro, ndërsa përmendi edhe problematikat me fondet IPARD, që sipas tij kanë penalizuar fermerët. Në përfundim, ai u bëri thirrje anëtarëve të Komisionit të votojnë pro projektligjit, duke e cilësuar atë si një nismë në mbrojtje të interesit publik.

FJALA E PLOTE
I nderuar Z. Kryetar i Komisionit!
Të nderuar kolegë deputetë!
Ne paraqesim sot para jush një projektligj, i cili vërtet është propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë, por është një projektligj i cili nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me një forcë politike apo me disa subjekte politike, por lidhet drejtpërdrejt me interesin publik, sepse qëllimi i këtij projektligji në vetvete është mbrojtja e shëndetit publik dhe jetës së konsumatorëve shqiptarë.
Ky projektligj, sikundër e theksoi edhe kolegu Ismaili, është një projektligj i cili synon në fakt të adresojë të gjitha ato problematika sa i përket sigurisë ushqimore, të evidentuar në mënyrë të qartë edhe në progress raportin për Shqipërinë të vitit 2025 dhe synon që ti japë fund një situate alarmante, në gjykimin tonë por jo vetëm, sic është siguria ushqimore që është kthyer në një emergjencë kombëtare për vet faktin se gjatë dekadës së fundit ka munguar marrja e atyre masave të domosdoshme, të nevojshme, të cilat do të frenonin jo vetëm përmbytjen e tregjeve, të marketeve tona nga produktet e skaduara dhe të kontaminuara, të cilat më pas përfundojnë në tryezat e shqiptarëve, por dhe për vet faktin që sikundër të gjithë jemi koshientë, referuar edhe raportimeve në media, tregu vendas është përmbytur dhe Shqipëria është kthyer në një kazan mbeturinash për produkte të kontaminuara apo të skaduara nga të gjithë vendet e botës.
Të gjithë jemi koshientë që Shqipëria është përmbytur nga mishi me salmonelë që vjen nga Brazili apo rastet e shpeshta, mos gaboj edhe pak ditë më parë, të importit të miellit të kontaminuar si nga Serbia ashtu edhe nga Rusia.
Faktet që shumë produkte të skaduara që në shumë vende të Bashkimit Europian do të asgjesoheshin, përkundrazi, importuesit i sjellin në tregun shqiptar.
Një situatë, e cila në fakt po penalizon askënd më shumë se sa vet konsumatorin shqiptar dhe meqë këtu, në fillim të këtij diskutimi u shtrua cështja se përse ky Komision duhet të marri në shqyrtim këtë projektligj, unë besoj se ky është një projektligj, i cili lidhet direkt me mbrojtjen e shëndetit publik për vet faktin se, sikundër kanë raportuar edhe institucionet shtetërore, janë të paktën mbi 7 mijë raste vit pas viti të shtimit të sëmundjeve tumorale, të cilat sipas mjekëve, favorizohen pikërisht për shkak të ushqimeve të kontaminuara me pesticide dhe me elementë, të cilët janë të dëmshëm për shëndetin.
Gjithashtu, dua të evidentoj faktin që ky projektligj është një projektligj i cili në vetvete ndihmon edhe fermerët e ndershëm shqiptarë, referuar faktit që shumë nga produktet të cilat eksportohen sot edhe pse në një masë të vogël, janë penalizuar dhe kanë nxirë imazhin e vendit.
I referohem rastit të mandarinave, pjeshkëve luleshtydheve, të cilat refuzohen apo kthehen mbrapsht nga vendet e Bashkimit Europian, pikërisht për shkak të pesticideve të larta të cilat ato përmbajnë.
Kjo vjen vetëm për shkak të mungesës së laboratorëve të duhur në të cilat do të mund të kryenin analizat e këtyre produkteve.
Por kjo nuk ka pse penalizon, në mënyrë të padrejtë, fermerin e ndershëm shqiptar, i cili edhe pse aktualisht është i penalizuar për shkak të nënfinancimit që qeveria shqiptare i ka bërë këtij sektori, mos harrojmë vetëm për këtë vit sektori i bujqësisë do të ndihmohet jo më shumë se 50 milionë euro, një shifër e cila duket minore në raport me abuzimet kriminale financiare që ka kryer Zv. Kryeministrja Belinda Balluku vetëm në aferën e tunelit të Llogarasë.
Dhe pa harruar faktin se fermerët shqiptarë, për të tretin vit rradhazi janë të penalizuar për shkak të abuzimeve që qeveria shqiptare ka bërë me ndihmën e fondeve IPARD, të cilat nuk kanë përfunduar tek fermerët, por kanë përfunduar tek inceneratorët dhe tek klientët dhe bandat e lidhura me këtë mazhorancë.
Ndaj ky është një projektligj, i cili duke garantuar analizën e duhur të produkteve “Made in Albania” përvec se mbron shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve, është një projektligj i cili mbështet edhe produktet e ndershme dhe markën “Made in Albania”.
Ndaj do i ftoja të gjithë kolegët e këtij Komisioni, të votonin pro këtij projektligji, sepse nuk është thjesht dhe vetëm një votë pro një nisme të një force të caktuar, pra në rastin konkret të Partisë së Lirisë, por është një votë pro shëndetit publik dhe pro mbrojtjes të jetës së konsumatorit shqiptar.
Cdo votë kundër këtij projektligji, në fakt nuk është asgjë tjetër vecse një votë e cila shkon kundër interest publik, kundër mbrojtjes së shëndetit publik dhe kundër mbrojtjes të jetës së qytetarëve shqiptarë, në kushtet kur, e theksoj, siguria ushqimore sot është një alarm kombëtar .
Sikundër është detyruar pas 13 viteve në pushtet, ta pranojë edhe vet Kryeministri Edi Rama në janarin e kaluar, kur u detyrua të pranonte se kjo qeveri ka dështuar në garantimin e sigurisë ushqimore.
Ndaj ne vimë me këtë alternativë konkrete, efikase, e cila nuk ka ngjyrime politike, por një nismë e cila do ti japi zgjidhje një problemi, i cili duhet të marë zgjidhje dhe duhet të kishte marrë zgjidhje, në fakt, gjatë këtyre 12 viteve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: