Vllaznia do të duhet të bëjë llogaritë pa një nga armët e saj kryesore në javën e 25-të të Kategoria Superiore. Lirim Kastrati, krahu i djathtë i kuqebluve, do të mungojë në përballjen ndaj Bylis, një sfidë që vjen në një moment delikat të sezonit.
Numri 7- të nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin Martini, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në repartin ofensiv. 27-vjeçari u ndëshkua me karton në suksesin dramatik 2-1 ndaj Elbasanit, duke plotësuar kështu numrin e kartonëve dhe automatikisht duke u pezulluar për sfidën e radhës. Një ndëshkim që i kushton jo pak shkodranëve, sidomos pas formës së shkëlqyer që Kastrati ka shfaqur gjatë vitit 2026, ku ka qenë ndër futbollistët më të qëndrueshëm dhe më të rrezikshëm në krah.
Me shpejtësinë, depërtimet dhe guximin në duelet një kundër një, Kastrati ka qenë shpesh çelësi i zhbllokimit të ndeshjeve për Vllazninë. Kontributi i tij në fazën ofensive, por edhe ndihma në mbrojtje, e kanë bërë një element të pazëvendësueshëm në skemat e trajnerit. Mungesa e tij ndaj mallakastriotëve pritet të ndihet, sidomos në një ndeshje ku hapësirat dhe ritmi mund të jenë vendimtare. Megjithatë, Martini dhe stafi i tij teknik kanë treguar se dinë të gjejnë zgjidhje.
Vllaznia ka treguar gjatë sezonit se zotëron alternativa cilësore në stol, ndërsa fleksibiliteti taktik ka qenë një nga pikat e forta të skuadrës. Zëvendësuesi i Kastratit do të ketë një mundësi të artë për të treguar vlerat dhe për të bindur në një moment të rëndësishëm të kampionatit. Në kampin kuqeblu besojnë se një mungesë, sado me peshë, nuk duhet të ndalë marshimin drejt objektivave madhorë.
