Me mëndje te Bastoni dhe Derbi i Italisë, Juve pëson një humbje të rëndë në Stamboll. Gallatasary i jep një “shuplakë” të vërtetë, i shkakton një disfatë 5-2 që vendos në dyshim të fortë kualifikimin, më saktë në Torino i duhet një mrekulli, një përmbysje e madhe për të mos dalë nga Champions që në fazën “play-off”.

Gallata i befasoi që në start ku në minutën e 15-të Gabriel Sara tundi rrjetën. Juve krijoi iluzionin se do të përmbysnin ekipin turk pasi Koopmeiners barazoi shpejt shifrat një minutë më vonë, ndërsa në minutën e 32-të holandezi me një goditje shumë të bukur realizoi golin e dytë personal.

Me fillimin e pjesës së dytë, Spalletti hodhi në fushë edhe Cabal, por vendasit i goditën menjëherë ku Noa Lang përfitoi nga një top i ngecur shumë pranë vijës fatale duke barazuar shifrat në 2-2. Vendasit nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 59-të, Sanchez devijoi mjaftueshëm një goditje të fortë dënimi duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë. Për ta ndërlikuar edhe më shumë këtë transfertë për Juven mendoi Cabal, me mbrojtësin kolumbian që brenda pak minutash u ndëshkua dy herë me karton të verdhë duke lënë Zonjën e Vjetër me 10-të lojtarë.

Ekipi i Spallettit bëri gjithçka keq në këtë sfidë, ku në minutën e 74-ët, Thuram dhe pjesa tjetër e prapavijës gabuan rëndë duke i dhënë mundësinë Noa Lang të shënonte golin e dytë personal dhe të katërtin për Gallatën. Turqit e kthyen në festë këtë takim ku në minutën e 86-të Boey kompletoi “manitan” e golave duke hedhur një hap të rëndësishëm drejtë kualifikimit për në fazën e 1/8. Për Juven ky ishte një hap i fortë pas, një humbje shumë e rëndë që zbeh jo pak këtë sezon.

Me të drejtë, trajneri Spalletti nuk e priti mirë këtë humbje, ku disa gabime të rënda individuale i kushtuan shtrenjtë: “E mbyllëm keq pjesën e parë. U përpoqëm t’i vendosnim gjërat në rregull në fraksionin e dytë, por ramë shumë në aspektin e personalitetit dhe karakterit. Këtë mbrëmje bëmë tre hapa pas, jo një”, u shpreh Spalletti.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ashtu si Spalletti, edhe mediat italiane e bënë dramë këtë humbje: “Kështu Jo. Juve bën një figurë të keq historike në Champions”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “GalaGoal. Shuplakë Spallettit”, shkruan Corriere dello Sport. “Juve, alarm total”, ishte titulli kryesor i TuttoSport.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb