Në një Kinë ku presioni për martesë mbetet i fortë dhe kultura e punës shpesh përshkruhet nga orare rraskapitëse si modeli “996” (nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes, gjashtë ditë në javë), gjithnjë e më shumë gra të reja po i drejtohen një alternative të pazakontë: marrëdhënieve romantike me partnerë dixhitalë të krijuar përmes Inteligjencës Artificiale (IA).

Ky fenomen është në qendër të dokumentarit “Partnerë Dixhitalë/Replikë (Replica)”, me regji të kinezes Chouwa Liang, i cili do të ketë premierën botërore në edicionin e 28-të të Thessaloniki International Documentary Festival. Filmi kujton në mënyrë të pashmangshme universin e krijuar nga Spike Jonze në filmin Her, ku një burrë bie në dashuri me një sistem operativ të pajisur me IA. Ajo që dikur dukej si alegori për të ardhmen, sot për shumë gra kineze po merr formë konkrete.

Partnerët dixhitalë janë gjithmonë të disponueshëm, emocionalisht të qëndrueshëm dhe të programuar për të dëgjuar, për të konfirmuar dhe për të mos gjykuar. Ata nuk zemërohen, nuk tërhiqen dhe nuk bëhen indiferentë. Përmes ekranit, ato ofrojnë një ndjenjë pranimi të pakushtëzuar dhe shoqërie pa rrezik. Pyetja thelbësore që ngre “Replica” është: a përfaqëson kjo një zgjidhje të re emocionale, apo një tjetër pengesë drejt lidhjes autentike njerëzore?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: