Egnatia po i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e së premtes ndaj Dinamo Tirana, një sfidë ku fitorja është thuajse detyrim.
Rrogozhinasit zbresin në fushë me objektivin e qartë për t’u rikthyer te suksesi, në një moment delikat të sezonit, kur diferencat në renditje janë ngushtuar dhe çdo hap fals mund të peshojë shumë në garën për kreun. Në letër, përballja duket e balancuar, por për bardhejeshilët ka një peshë të veçantë.
Kampionët në fuqi kanë shfaqur luhatje në javët e fundit, duke lënë pikë në momente kur pritej të bënin diferencën. Si pasojë, diferenca me vendin e parë është rritur dhe presioni është shtuar. Megjithatë, në kampin rrogozhinas ka bindje se reagimi do të vijë pikërisht në një ndeshje të tillë, përballë një kundërshtari me traditë dhe objektiva të qarta.
NGËRÇI NË SHTËPI Nëse për shumë skuadra faktori fushë përbën avantazh, për Egnatian këtë sezon nuk ka rezultuar plotësisht i tillë. Rrogozhinasit ende nuk e kanë gjetur fitoren në shtëpi për këtë vit kalendarik në kampionat. Barazimi me Elbasani, i siguruar me vështirësi në minutat e fundit, si dhe humbja ndaj Tirana, kanë lënë shije të hidhur dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në renditje. Pikët e humbura në Rrogozhinë kanë bërë që diferenca me kreun, ku ndodhet Vllaznia, të shkojë në pesë pikë. Kjo e bën edhe më të domosdoshëm reagimin ndaj Dinamos. Një fitore do të mbante gjallë ambiciet për titull dhe do të rikthente besimin te tifozët.
MUNGESAT DHE DILEMAT E FORMACIONIT Për këtë përballje, trajneri Edlir Tetova nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Eljon Sota, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të vuajë një javë pezullim. Një mungesë që pritet të ndikojë në repartin defensiv, aty ku tekniku duhet të bëjë rregullimet e nevojshme. Pjesa tjetër e skuadrës është në dispozicion dhe gjatë ditëve të fundit do të vendoset se cilët lojtarë janë në formën më të mirë për ta nisur nga minuta e parë. Tetova njihet për zgjedhjet e tij shpesh të papritura, me lëvizje të befasishme si në mesfushë, ashtu edhe në sulm. Konkurrenca brenda grupit mbetet e fortë dhe kjo mund të shërbejë si një armë shtesë për të rritur intensitetin dhe për të kërkuar reagimin e shumëpritur.
