Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas iu gëzua fundit të bllokadës politike në Kosovë me shpresën se do të nisë po ashtu edhe zhbllokimi i një procesi që i mbeti anash për më shumë se një vit që kur mori detyrën.

Kallas pasi uroi Albin Kurtin për mandatin e ri shprehi gatishmërinë për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkohë, para këtij takimi, nga Prishtina Kurti kërkoi një gjykatë speciale për gjykimin, ndër të tjerash, edhe të Aleksandar Vuçiçit.

Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Kaja Kallas, paralajmëroi një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të përfunduar kriza politike në Kosovë që e la vendin pa institucione legjitime për gati një vit.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur që nga sulmi i Banjskës në shtator të 2023-ës pas të cilit liderët e të dyja vendeve më s’janë takuar. Kallas bashkë me emisarin Peter Sorensen kanë për detyrë që të vënë në zbatim Marrëveshjen e Ohrit të dakorduar nga paraardhësit e tyre, Joseph Borrell e Miroslav Lajçak.

Kallas e përmendi një “momentum të ri” për këtë proces krahas urimit për qeverinë e re në Kosovë.

“Pas më shumë se një viti bllokadë, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues. Urime Albin Kurti!”, shkroi Kallas në X, duke shtuar: “Ajo që ka rëndësi tani është që të ecet me shpejtësi në reforma.

Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen financiare të BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të përparuar në rrugën drejt BE-së. Ky është një momentum i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam e gatshme të pres së shpejti një takim të nivelit të lartë”.

Pas sulmit në Banjskë, Kurti kishte hedhur disa kushte për Bashkimin Europian në këmbim që të ulej përballë Vuçiçit. Ndër to ishte dorëzimi i Milan Radoiçiqit e tërheqja e një letre nga ish-kryeministrja serbe.

Por, së fundi, në Prishtinë në një konferencë të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, kryeministri Kurti pati një kërkesë – jo domosdoshmërish drejtuar BE-së.

Duke folur për procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe për krimet e pretenduara në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”, Kurti tha se duhet të ngrihet një gjykatë speciale edhe për gjykimin e krimeve në Sarajevë që ndodhën gjatë  “Sarajevo Safari” e që u aktualizua së fundi. Kurti këtu përmendi edhe rolin e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb