Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, në një intervistë në emisionin “Oponencë” në News24, e ka cilësuar iluzion përpjekjen e qeverisë për të ndryshuar nenin 242 të Kushtetutës sa i takon pezullimit të ministrave.
Halimi tha se pavarësisht se Rama po kërkon tja vështirësojë punën SPAK, nuk do të arrijë ta bëjë pasi është prioritet norma hierarkike që është Kushtetuta.
Eduart Halimi: Në këndvështrimin tim është iluzion, sado të përpiqet ti krijojë koracën mbrojtëse sado të përpiqet të ndryshojë kodin e procedurës penale nuk arrin dot ta bëjë pasi është prioritet norma hierarkike që është Kushtetuta.
Nuk do të arrijë tja vështirësojë punën SPAK, pavarësisht se këtë po kërkon ti ofrojë qetësi ministrave që nuk do të pezullohen po u miratua ndryshimi i propozuar i nenit 242 i Kodit penal, ky është iluzion. SPAK do të zbatojë Kushtetutën. Hera e fundit kur Kuvendi ka folur për imunitetin parlamentar ka qenë viti 2012. Kam qenë ministër i drejtësisë dhe kam udhëhequr procesin. Ne miratuam zhveshjen nga imuniteti për deputetët dhe gjyqtarët dhe që atëherë nuk është ndryshuar neni 73 i Kushtetutës që i jep një mbrojtje imunitare në të cilën nuk përfshihet pezullimi.
Cdo lloj ndryshimi që do të bësh në Kodin e Procedurës, GJKKO do të zbatojë drejtpërdrejt Kushtetutën dhe maksimalisht do ta çojë çështjen për kontroll incidental në GJK. Dhe kjo është qasja e qeverisë dhe aty e presin po ata gjyqtarë. 4 prej tyre i thonë se nëse do të mbrosh qeverinë nga pezullimi, ti duhet të ndryshosh Kushtetutën. 4 gjyqtarë i thonë qeverisë në vendimin që u rrëzua, që nëse do ta mbrosh nga pezullimi, të ndryshohet Kushtetuta, jo neni. Qëllimi I qeverisë është ta zvarrisë çështjen. Në kontekstin kushtetues në këtë moment, GJKKO do të zbatojë Kushtetutën, pavarësisht përpjekjeve iluzive të qeverisë.
