Një tragjedi është shmangur vetëm falë fatit në New Jersey.
Një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur të cilët sapo i kishte marrë nga kopshti, janë goditur nga një makinë.
Ngjarja u kap nga kamerat e sigurisë, ku shihet Patrice Pisani duke ecur me dy djemtë e saj, para se të vërejë mjetin që po afrohej. Në një reagim instinktiv, ajo përpiqet t’i tërheqë fëmijët për t’i shpëtuar përplasjes.
Sipas mediave lokale, automjeti drejtohej nga 68-vjeçarja Angela Arrigo, e cila dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit. Makina përfundoi duke u përplasur me një shtyllë, por para kësaj, pjesa e pasme e saj goditi djalin më të vogël, duke e rrëzuar në tokë dhe duke i kaluar mbi këmbë me gomë.
Si pasojë e incidentit, djali më i vogël pësoi lëndime në këmbë, nëna mori goditje në shpinë dhe qafë, ndërsa djali i madh shpëtoi me lëndime të lehta.
Autoritetet njoftuan se Arrigo është akuzuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, sulm me mjet dhe rrezikim të mirëqenies së një fëmije. Hetimet për rrethanat e plota të aksidentit vijojnë.
