Në seancën plenare në Kuvend, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, iu përgjigj akuzave të ngritura nga kreu i Partia Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me projektin Durana Tech Park.

Gjatë interpelancës parlamentare, Shehaj akuzoi ministren për favorizime përmes ndryshimeve ligjore dhe lehtësive të pretenduara ndaj subjekteve të caktuara. Në reagimin e saj, Ibrahimaj i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk ka asnjë ligj të miratuar për t’i dhënë përfitime të veçanta individëve apo kompanive të caktuara.

“Të gjitha aludimet që ne bëjmë ligje që t’i japim lehtësime filanit apo fistekut nuk janë aty, janë zero. Kanë qenë lehtësira doganore që kanë përfituar subjektet,” deklaroi ministrja, duke shtuar se akuzat për korrupsion janë të pabazuara.

Ajo kritikoi tonin e përdorur nga Shehaj gjatë debatit, duke theksuar se politika nuk ndërtohet mbi ulërima dhe akuza pa fakte. “Nuk e di pse mendoni se duke ulëritur dhe bërtitur mund të bëhet politikë, por ne jemi njerëz civilë dhe të edukuar dhe nuk ka arsye të dalim nga vetja për të qenë të besueshëm,” u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se është e gatshme të përgjigjet për çdo veprim të saj përpara deputetëve dhe institucioneve përkatëse, duke theksuar përgjegjshmërinë publike që mbart posti që ajo mban. “Sa për akuzat tuaja për korrupsion, mbajini për veten dhe unë do përgjigjem për veprimet që kam bërë siç përgjigjem para deputetëve, para çdo instance sepse kemi përgjegjshmëri për veprimet që bëjmë,” deklaroi ajo.

Në përfundim, Ibrahimaj i bëri thirrje opozitës të informohet dhe të mbledhë fakte përpara se të bëjë deklarata publike, duke e cilësuar ndërhyrjen e Shehajt si dezinformim ndaj qytetarëve që e kanë votuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb