Kryetari dhe Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj zhvilloi sot në Kuvend një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, lidhur me projektin e Parkut Virtual Teknologjik “Durana”.
Në fjalën e tij, Shehaj iu drejtua ministres Ibrahimaj, duke u shprehur se është impresionues fakti se si arrihet që një vepër e rëndë siç është korrupsioni, mbrohet me një buzëqeshje.
Projektin Durana, Shehaj e quajti një projekt të ideuar nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e së cilës janë Agasi, Karçanaj dhe Beqiraj.
“Ju duhet të jeni pak koherente. Ose keni frikë që përfituesit kanë marrë mln euro. Ndajeni mendjen, si është e vërteta. Thatë se e keni ideuar ju këtë projekt. Ju nuk keni ideuar asgjë dhe nuk keni vendosur asgjë. Ky është projekt i grupit të strukturuar kriminal, Beqiraj, Agasi, Karçanaj. Kush ju pyet juve?! Ju plotësoni letrat dhe më vjen keq tua them, mbani përgjegjësi. Ky është projekt që i përket bandave kriminale. Jeni kapur keq. S’dini më nga t’ia mbani! Nuk e di nëse ju kanë thirrur në SPAK për Duarana Park zonja ministre, por është e sigurt që do t’ju thërrasin. Sa prej këtyre kompanive kanë shmangur pagesën e TVSH-së? Nëse nuk ekziston Durana park ku është kjo pajisje? Ju nuk keni përgjegjësi, por keni bërë letrat! Keni bërë letrat, jeni vënë në shërbim të një kryeministri të korruptuar, të një qeverie të korruptuar! Kjo është e vërteta, por për këtë duhet të jepni llogari. Arritët deri aty ku krimin e futët në një fushë, ku kryesisht nuk hyn se nuk ka njohuri. Tani jeni në një ngërç të madh Rama doli dhe tha; është e paimagjinueshme të fikim E-albania. Por E-albania është në dorë të një grupi të strukturuar kriminal. Të gjitha të dhënat janë në duart e këtij grupi kriminal. E-albania nuk mund të fiket, ky është problemi. Jeni peng të një grupi të strukturuar kriminal. Ajo që është e pabesueshme, në fakt është se jo vetëm ju jeni peng i këtij grupi të strukturuar, por dhe shqiptarët. Dje avokati i Agasit tha; po sikur Agasi të ketë kapur ndonjë provë të SPAK? Mos vallë mesazhi ishte; ne mbajmë peng dhe SPAK-un? Peng të një grupi të strukturuar kriminal, të gjithë! Ky është problemi dhe s’i bën përshtypje askujt. Betejën se keni as me shqiptarët, as me prokurorët, por me perëndimin. E gjithë qeveria, i gjithë grupi kriminal që punon me ju dhe ju ka marrë peng, luftën e ka me perëndimin. Nuk fitohet kundër perëndimit. Shikoni çfarë ndodhi me Veliajn, me Ballukun, keq dhe më keq do të përfundoni në luftën me perëndimin. Ndaj tërhiquni, dorëzohuni!”, tha ai.
