Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka akuzuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke pretenduar se institucioni është “zhveshur nga interesi kombëtar”.
Në një deklaratë në Kuvend, Blushi u shpreh se diplomacia shqiptare është kthyer në një fasadë estetike, duke humbur funksionin e saj strategjik. “Në diplomacinë shqiptare paradat vanitoze, mondane dhe ekzibicioniste kanë zëvendësuar strategjitë afatgjata”, deklaroi ai. Sipas Blushit, politika e jashtme nuk duhet të trajtohet si “skenë apo vitrinë për aksesorë luksi”, por si një instrument për mbrojtjen e interesit kombëtar.
Blushi ngriti shqetësimin për atë që e konsideroi mungesë të rezultateve konkrete në mbështetje të Kosovës, e cila së fundmi shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë. Sipas tij, Shqipëria duhet të kishte lobuar fuqishëm për njohje të reja ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. “Asnjë njohje e re e shtetit të Kosovës si pasojë e lobimit apo presionit politik direkt të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë”, tha Blushi. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për mosreagim ndaj asaj që e quajti “axhenda e Serbisë për shpopullimin e Luginës së Preshevës”.
Blushi theksoi se “interesi kombëtar nuk mund dhe nuk duhet të negociohet për asnjë rehati politike”.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë ngriti gjithashtu pyetje mbi çështjet e pazgjidhura me Greqinë, si kufiri detar dhe Ligji i Luftës. “A e ka zgjidhur çështjen e kufirit detar me Greqinë? A e ka zgjidhur çështjen e Ligjit të Luftës? Asnjë”, tha ai.
Blushi kritikoi edhe atë që e quajti “shkrirje de facto të Akademisë Diplomatike” dhe akuzoi qeverinë për emërime politike në diplomaci.
Në përfundim, deputeti i PL theksoi se “Shqipëria ka nevojë për diplomaci strategjike, për përfaqësim dinjitoz dhe për marrëveshje që prodhojnë përfitime konkrete për interesin dhe sigurinë kombëtare”.
