Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm gjatë takimit inaugurues të Bordit të Paqes, duke theksuar ngjarjet e fundit që lidhen me drejtësinë ndërkombëtare dhe situatën e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, Kosova dhe Serbia kishin qenë më afër se kurrë një marrëveshjeje paqe, duke shtuar se një moment kyç ishte bllokimi i udhëtimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen me Trump. “Nën lidershipin e mandatit të parë të Presidentit Trump, Kosova dhe Serbia ishin më afër se kurrë një marrëveshjeje paqe,” deklaroi Rama.

Ai akuzoi drejtësinë ndërkombëtare dhe prokurorët që, sipas tij, janë financuar nga vendet demokratike, duke përmendur se një prokuror i financuar nga taksapaguesit kishte kërkuar një dënim prej 45 vitesh burg për Hashim Thaçin, një kërkesë që shkaktoi tronditje ndërkombëtare. “Një burrë i cili u ngrit kundër spastrimit etnik në një gjykatë që ka dështuar për të respektuar standardet e drejtësisë demokratike,” tha ai.

Rama e quajti këtë proces një shembull të abuzimit të drejtësisë ndërkombëtare, duke përmendur se shumë nga vendet demokratike që janë të pranishme në këtë takim, janë përfshirë në financimin e hetimeve dhe procesit gjyqësor ndaj Thaçit.

Në përfundim, Kryeministri Rama apeloi për një angazhim të mëtejshëm për të mbrojtur të drejtat dhe të drejtat e Kosovës dhe të gjithë rajonit, duke i bërë thirrje të gjithëve të veprojnë përpara se të ndodhin “gjëra të këqija”. “Zoti President, le të bëjmë diçka para se gjërat e këqija të ndodhin,” shtoi ai. Rama shprehu falënderime për përfshirjen e Shqipërisë në këtë iniciativë, duke shpresuar që Shqipëria të jetë një vlerë e shtuar në vizionin e Paqes ndërkombëtare të promovuar nga Bordi i Paqes.

Fjala e kryeministrit Edi Rama;

Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi, z. President.

Vota plotësisht e harmonizuar dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme, flet vetë përsa e nderuar ndihet Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese e kësaj organizate të re.

Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.

-President,  Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj.

Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti  publik të dedikuar për fëmijët palestinezë.

Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të pafajshme të lunatizmit të Hamasit, të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë,  jo vetëm duke vendosur paratë, por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve.

Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëhej pjesë e këtij vargu.

Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur ,më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.

Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.

Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare.

Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh  e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.

Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj  spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike.

Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.

Edhe njëherë, ju falënderoj që përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike.

Duke qenë  miq të afërt me Izraelin dhe vendet arabe, shpresojmë fort të jemi një vlerë e shtuar e vizonit tuaj të jashtëzakonshëm.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb