Teksa myslimanët në mbarë botën po agjërojnë gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, shumë prej tyre po rishikojnë mënyrën se çfarë dhe si hanë për të ruajtur energjinë gjatë orëve të gjata pa ushqim dhe ujë. Ekspertët e ushqimit theksojnë se një qasje e balancuar në syfyr dhe iftar, me fokus te ushqimet e plota, hidratimi dhe kontrolli i porcioneve, ndihmon në ruajtjen e shëndetit, produktivitetit dhe mirëqenies gjatë gjithë muajit.
Dietologia kanadeze Nazima Qureshi, bashkautore e librit ‘The Healthy Ramadan Guide’, ka deklaruar për Anadolu Agency se, edhe pse agjërimi mund të jetë sfidues, veçanërisht për shkak të traditave të ndryshme kulturore ushqimore, disa strategji të thjeshta mund të ndihmojnë në ruajtjen e energjisë. “Është e rëndësishme të shijoni ushqimet tradicionale në iftar, por duke qenë të vetëdijshëm për atë që vendosni në pjatë”,- është shprehur ajo.
Kafeja dhe ushqimet e përpunuara
Sipas Qureshi-t, stili modern i jetesës, përfshirë konsumimin e shtuar të kafesë dhe ushqimeve të përpunuara, ka ndikuar në mënyrën se si përjetohet agjërimi.
“Kafeina është një pikëpyetje e madhe gjatë Ramazanit”,- thekson ajo, duke sugjeruar që kafeja mund të konsumohet në syfyr nëse vakti është mjaftueshëm vonë, por duhet shmangur në mbrëmje pasi ndikon negativisht në cilësinë e gjumit.
Ndërkohë, ushqimet e përpunuara, megjithëse të pasura me kalori, janë të varfra në vlera ushqyese dhe mund të shkaktojnë lodhje gjatë ditës.
“Rriten kaloritë, por jo vlerat ushqyese dhe kjo sjell më pak energji gjatë agjërimit”,- shpjegon ajo.
Pjata ideale për syfyr
Për syfyr, ekspertja këshillon shmangien e karbohidrateve të thjeshta si buka e bardhë apo drithërat me sheqer, të cilat shkaktojnë rritje të shpejtë të sheqerit në gjak dhe më pas rënie të menjëhershme të energjisë.
Në vend të tyre, rekomandohen drithërat e plota të kombinuara me proteina dhe yndyrna të shëndetshme.
Një syfyr ideal duhet të përmbajë:
Karbohidrate komplekse
Proteina
Yndyrna të shëndetshme
500–700 ml ujë
Shembuj të mirë janë vezë me bukë integrale dhe perime, ose tërshërë me kos dhe fruta pylli.
Si ta thyeni agjërimin në mënyrë të shëndetshme
Në iftar, Qureshi këshillon që agjërimi të prishet fillimisht me hurma, ujë dhe fruta, duke shmangur menjëherë ushqimet e skuqura.
“Kur jeni shumë të uritur, nuk e kuptoni sa shumë konsumoni. Nëse ushqimet e rënda i lini për më vonë, pas namazit, do të keni një vakt më të balancuar,” thotë ajo.
Ajo sugjeron që në pjatë të kombinohen karbohidratet me proteina si mishi i pulës apo qebapët, ndërsa perimet, shpesh të mungueshme në tryezat e iftarit, duhet të përfshihen përmes sallatave apo gatimeve të lehta.
Marramendja dhe lodhja, nga çfarë shkaktohen?
Simptoma si marramendja, dhimbja e kokës dhe dobësia shpesh lidhen me mungesën e hidratimit dhe zakonet e gabuara ushqimore gjatë orëve kur nuk agjërohet.
“Shumica e simptomave negative lidhen me faktin që njerëzit nuk pinë mjaftueshëm ujë gjatë mbrëmjes”,- shpjegon Qureshi.
Ajo paralajmëron gjithashtu se ushqimet e rënda, shumë të yndyrshme ose me sheqer të lartë gjatë natës mund të ulin energjinë ditën pasuese. Në vend të tyre rekomandohen ushqime më të lehta si fruta, kos apo smoothie.
