Lajmi për arrestimin e ish-Princit Andrew, tani i njohur si Prince Andrew, Duke of York (Andrew Mountbatten-Windsor), të enjten në mëngjes (19/02), pikërisht në ditëlindjen e tij, mund të ketë befasuar opinionin publik, por historia tregon se kjo nuk është hera e parë që anëtarë të familjes mbretërore britanike përballen me telashe ligjore.

Nga ekzekutimi i një mbreti e deri te skandalet e bixhozit, shkeljet e trafikut dhe hetimet penale, monarkia britanike ka njohur jo pak “aventura” me drejtësinë. Rasti më dramatik mbetet ai i Charles I, i cili u kap rob në vitin 1647 pas disfatës në Luftën Civile Angleze kundër forcave parlamentare.

Një mbështetës i bindur i së drejtës hyjnore të mbretërve, ai u gjykua për tradhti të lartë, u shpall fajtor dhe iu pre koka në vitin 1649, duke mbetur i vetmi monark britanik i ekzekutuar zyrtarisht nga shteti. Në fund të shekullit XIX, Edward VII, atëherë Princ i Uellsit, u përfshi në skandalin e famshëm Baccarat të vitit 1890, një çështje bixhozi të paligjshëm që përfundoi në Gjykatën e Lartë dhe dëmtoi rëndë reputacionin e tij publik. Ai ishte anëtari i fundit i familjes mbretërore që dha dëshmi në gjykatë deri në paraqitjen e Prince Harry, ‘Duke of Sussex’ më shumë se një shekull më vonë. Edhe Anne, Princesha Royal është përballur disa herë me ligjin, kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga paralajmërimet për tejkalim shpejtësie në vitet ’70, te gjobat dhe pezullimi i patentës në vitin 1990, si dhe dënimi në vitin 2002 sipas Aktit për Qentë e Rrezikshëm pasi qeni i saj kafshoi dy fëmijë, Princesha Anne ka qenë ndër anëtarët më të ekspozuar ndaj sanksioneve ligjore. Në vitin 2019, edhe Prince Philip, Duke of Edinburgh u përfshi në një aksident automobilistik pranë pronës Sandringham në Norfolk, kur Land Rover-i që drejtonte u përmbys pas përplasjes me një automjet tjetër. Edhe pse pati të lënduar, Prokuroria vendosi të mos ngrinte akuza, ndërsa ai dorëzoi patentën e drejtimit. Ndërkohë, Charles III, atëherë Princ i Uellsit, u mor në pyetje si dëshmitar në vitin 2005 gjatë hetimeve për vdekjen e Dianës, pas pretendimeve të ngritura nga një shënim i saj i mëhershëm.

Megjithatë, ai nuk u konsiderua asnjëherë i dyshuar dhe hetimet nuk gjetën prova për përfshirje të tij. Episodet e shumta dëshmojnë se, pavarësisht statusit dhe privilegjeve, familja mbretërore britanike nuk ka qenë e imunizuar nga përballjet me ligjin, duke reflektuar tensionet historike mes pushtetit, përgjegjësisë publike dhe llogaridhënies.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb