Imami Ahmed Kalaja ka rrëfyer në “Kjo Javë” në News24 pyetjet më të çuditshme që merr nga bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale.
Hoxha është shprehur se pyetjet më të shpeshta janë ato që lidhen me bestytnitë, si ato për ndërrimin e rrugës nëse hasesh me një mace të zezë, apo nëse lejohet martesa a hyrja në një shtëpi të re në periudhën mes dy Bajrameve.
“Nuk ka asnjë të vërtetë, ç’faj ka macja pse i ra rruga aty?”, shprehet imami.
Pyetje të tjera të çuditshme sipas tij janë ato që lidhen me kalimin e situatave normale në jetë nëpërmjet lutjeve, të tilla si testet apo provimet e patentës. Ndërsa u ndal në problematikat që kanë çifte apo mes vjehrrës dhe nuses, që janë edhe ato që e kanë bërë edhe më viralet në rrjet.
“Feja nuk ka ardhur ta bëjë njeriun kallup, por të jetë elastik dhe i komunikueshëm. Kush e kupton mirë fenë dhe besimin e kupton që feja këtë e ka mision.
Për pyetjet e çuditshme, më pyesin psh, O Hoxhë si ta marr provimin e patentës? A ka ndonjë dua që të më ndihmojë? Problemet e rinisë janë të pyetjeve ekzistenciale. Pyesin për informacione për botën tjetër, për hallet dhe sikletet që kanë duke e parë hoxhën si ai që jep një orientim. Por ka shumë pyetje për hallet familjare. Burrat nuk rrinë urtë kurse gratë dëgjojnë më shumë nënat e tyre se burrat. Dhe vinë e rrëfehen te Hoxha”, shprehet ai.
