Reshjet e shiut që përfshinë vendin ditët e fundit kanë shkaktuar shembje dhe çarje të konsiderueshme në aksin Grekan–Shelg në Belsh. Shembjet dhe çarjet në trupin e rrugës kanë rritur ndjeshëm rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.

Dëmtimet e shfaqura në këtë segment rrugor po përparojnë gradualisht, duke sinjalizuar një degradim të strukturës mbajtëse të rrugës. Çarjet e thelluara dhe rrëshqitjet anësore kanë krijuar paqëndrueshmëri në disa pika, çka mund të sjellë pasoja serioze nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërhyjnë në kohë.

Përkeqësimi i mëtejshëm i gjendjes së rrugës rrezikon të izolojë banorët e disa fshatrave në Belsh, ndaj banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat përgjegjëse, për të stabilizuar trupin e rrugës, për të forcuar bazamentin dhe për të shmangur një shembje të plotë të segmentit të dëmtuar.

Aksi Grekan–Shelg lidh Bashkinë Belsh me Bashkinë Cërrik dhe punimet për ndërtimin e saj me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit nisën në vitin 2019 dhe përfunduan në nëntor të vitit 2023.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb