Pak momente më parë ka nisur zyrtarisht protesta kombëtare e radhës e Partia Demokratike e Shqipërisë, ku mbështetës dhe simpatizantë nga e gjithë vendi janë mbledhur për të shprehur qëndrimet e tyre politike dhe qytetare.
Tubimi u hap me fjalimin nga aktorja e njohur Rajmonda Bulku, e cila solli një mesazh emocional dhe kujtoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë së vendit.
“Ju falënderoj që sot doni një fjalë edhe nga unë, të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë të bashkangjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Me ta, nuk patëm frikë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar se kishte Partinë Komuniste në krye,” u shpreh Bulku.
Ajo theksoi se fryma e asaj kohe ishte bashkimi dhe guximi për të përballuar një sistem që, sipas saj, kishte mohuar liritë për shumë vite. “Kishim një frymë të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse deshëm lirinë, deshëm të rrëzonim sistemin që na kishte zaptuar dhe marrë lirinë tonë për shumë vite,” vijoi ajo.
Në fjalën e saj, Bulku bëri thirrje që ajo frymë e vitit 1991 të rikthehet edhe sot, me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin. “Dua të kujtoj atë frymë që ta sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për jetët tona, fëmijët e nipërit tanë, të jetojnë më mirë në vendin e tyre sepse u takon. Të mos e braktisin këtë vend të bekuar. Zoti e ka bekuar Shqipërinë dhe bekoftë edhe shqiptarët,” përfundoi ajo.
Protesta vijon me pjesëmarrje të gjerë dhe me mesazhe që theksojnë nevojën për ndryshim, bashkim dhe angazhim qytetar.
