Opozita protestoi sot për gati 3 orë e ca në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa motoja e protestës ishte; dorëheqja e kryeminatorit Edi Rama dhe e Belinda Ballukut. Kjo e fundit ndodhet nën hetim nga SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkon arrestimin e saj për një seri aferash. Protestuesit, përmes posterave dhe banderolave, sollën mesazhe goditëse kundër qeverisë ‘Rama’, duke ironizuar megavjedhjet si skandali me tunelin e Llogarasë, apo dhe Unazën e Madhe dhe jo vetëm. Ndërkohë, politika kishte në qendër të kërkesës së saj, dorëheqjen e kabinetit Rama dhe krijimin e qeverisë teknike. Gjatë fjalimit të tij, kryedemokrati Sali Berisha e krahasoi këtë qeveri me atë të regjimit komunist.
“Miqtë e mi, 35 vite më parë, shqiptarët kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi. Sigurisht jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë pushtetet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt historik pas Enver Hoxhës, pushtet e vendit në duart e një tradhtari që do nxijë gjithnjë historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit, do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë tonë,.35 vite më parë ata burra e gra që kaluan mbi autoblinda, snajperë, mitralozë, për votën e lirë, dinjitetin njerëzor nuk mund të besonin se 35 vite më vonë përsëri do rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën”, tha Berisha.
Dhe fill, pas mbylljes së fjalimit të Berishës, protestuesit nisën të sulmonin me molotovë dhe fishekzjarrë Kryeministrinë. Ndërkohë, policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji. Sakaq, më pas turma e protestuesve iu drejtua Kuvendit, ku pati sërish përplasje me policinë, ndërkohë disa mjete autoblinda u përfshinë nga flakët.
Po ashtu, momente tensioni u regjistruan dhe te Rruga e Elbasanit, te xhamia e Namazgjasë, ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës, në një moment ku besimtarët myslimanë falnin namazin. Po ashtu, disa protestues morën lëndime, ndërsa një i ri pësoi goditje pas koke nga një bombol gazi që hodhi policia, ndërsa i plagosuri përfundoi te Trauma. I lënduar mbeti dhe nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili përfundoi në QSUT me 3 gishta të djegur.
Në një dalje për mediat pas këtyre incidenteve, Berisha nga selia blu deklaroi se policia duke e quajtur ‘bandë e veshur me uniformë’ do të mbante përgjegjësi, ndërsa paralajmëroi një tjetër protestë edhe më të fuqishme. Ndër të tjera kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se mbi 40 persona janë ndaluar nga policia, ndërsa ky i fundit pati dhe një përplasje me policinë.
