Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
POLITIKË NË LIBRARI
LIBRAT POLITIKË
Librat politikë ishin të ndara nga ato artistike. Sa hyje në librari, në të djathtë ishte një faqe me rafte librash politikë e ideologjikë. Ato dallonin menjëherë. Ishin të lidhur mirë, me kapakë të trashë, shumica me ngjyrë të kuqe në vishnje. Edhe dimensionet ishin standard. Raftet dukeshin të rregullt.
Përballë ishte banaku, ku rrinte dhe librashitësi. Alizoti qëndronte aty, në mes të librave artistikë, aty e kish vendin e tij. Ndihej më komod në atë mjedisin letrar artistik. Marksin, Engelsin, Leninin, Stalinin e më pas, Maon e Enverin, i kish vënë bashkë dhe i kishte më larg. Me letërsinë politike s’e lidhte gjë, ishin “mish i huaj” për të.
Alizoti lexonte shumë letërsi artistike. Ndaj, me pasion të veçantë, u bënte reklamë librave, citonte fragmente, u evidentonte lexuesve vlerat e padukshme, duke ua bërë mjaft tërheqëse ato. Ndërkohë, nuk thoshte asnjë fjalë për librat politikë. Nuk i kërkohej t’u bënte reklamë. Shyqyr! Por ndërsa librat artistikë tërhiqeshin nga lexuesit, ata politikë, sa vente e shtoheshin në librari. Raftet ishin plot. Librat e rinj politikë, që po vinin më dendur se më parë, duhej të ekspozoheshin në pjesët më të dukshme të librarisë.
U hap një punë e madhe me transferimin e disa veprave, për t’i zëvendësuar me veprat e porsaardhura. Ishte dhe punë me përgjegjësi. Duhej të ulje Leninin poshtë në dollape, që t’i hapje vend Maos nëpër rafte. Kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte?! Apo nuk ishte dhe me “kandar të prishur”, për të gjetur këto ekuilibra. Pa dilte dhe ndonjë pyetje nga ata, që në librari njihnin vetëm kapakët e librave.
– “Leninin gjete të hiqje”?!
– “Jo, jo, nuk e hoqa, e ngushtova një çikë! – sqaronte me kujdes Zotia. – Gjysmat i mbajta lart, të tjerat i zbrita poshtë”.
Pa lëre kur dolën veprat e Enverit! Për fat, ato të parat i ngritën njerëzit, s’i lanë të zinin pluhur në raftet e Zotes. S’mbeti shtëpi pa ekspozuar nga një vepër në raftin e bufesë.
– “E paskeni marrë dhe ju? Bravo, ju lumtë, ne kemi marrë dhe…”.
Këto ishin bisedat e zakonshme.
Por le të kthehemi tek halli i Zotes. Si do t’ia bënte me zhvendosjen e vazhdueshme të veprave të klasikëve të marksizmit? Jo, siç kish nisur kjo punë, nuk i dilej mbanë!
– “Po vras mënden, – po i thoshte një mikut në librari -, u meruam, mbetëm me libra në krahë, merova dhe djalin, apo s’janë dhe të rënda plumb. Nuk dinte si ta zgjidhte këtë kontradiktë, që sa vente e rritej.
– “Shkova tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë në Gjinokastër. – e dëgjova mbas ca ditësh Zoten, t’i tregonte një shoku në librari. – Kam ardhur të trajtoj një shqetësim si librashitës – i thashë”.
-‘Urdhëro, Alizot – më tha’.
‘Dhe ia qava hallin tamam…’!
– ‘More unë s’po kuptoj një gjë – i thashë. – Këto librat me karakter politik e ideologjik shteti i boton me një farë plani, apo kuturu? Ato botohen për të mbushur raftet e librarisë, apo për të mbushur kokat e njerëzve’”?!
– “Përse e shtron kështu problemin”? – e kish pyetur ai.
– “Nuk tërhiqen fare – i thashë – komunistët nuk lexojnë! Po vazhduam dhe ca kohë kështu, unë do vi të kërkoj ndihmë, për të nxjerrë librat nga libraria e t’i shpiem në depo. Se cilat do hiqen, vureni gishtin ju, se u s’jam i zoti për këtë punë”.
– “Të kuptova, falemnderit Alizot. Librat do të blihen”! – i kish thënë Sekretari, që, për mendimin e Zotes, e kish pritur shumë mirë.
– “Kur marr vesh unë, – vazhdonte Zotia tregimin -, që më kish përmendur në një mbledhje të rëndësishme te Plenumit dhe u kish hequr vërejtje gjithë komunistëve, që nuk lexojnë e sidomos sektorit të propagandës. Plasën në librari të gjithë! E bukura qe se, pasi blinin një libër me kapakë të kuq, dilnin xhiro me të në dorë, që t’i shikonin. U kënaqa, u ngosa [ngopa] të thom! Apo s’më shkojnë mu përpara xhamit të vitrinës. Më vinë ca, që s’kanë shkelur kurrë në librari, as për të blerë një gazetë, hynë të ndrojtur sikur futen në një botë tjetër. Nuk dinë se ç’të kërkojnë. Më vjen keq dhe i ndihmoj, se e di që nuk kanë faj. Po unë shpohem në hundë, po qe se lexojnë më shumë nga dhjetë faqe libër, e pastaj e lënë mbi oxhak, që të timoset.
Më shumë qejf kam kapadainjtë. – s’pushonte se treguari Zotia -. Prëhem me ta. Rrinë përpara rafteve të librave politike të përqendruar, jo sikur i shohin për herë të parë ato kapaqe libri, po sikur po shohin, se a ka ndonjë libër, që nuk e kanë studiuar. Më kërkoi veprën ‘ANTI DYRING’, të Engelsit njeri nga kjo kategori, por qe vazhdonte ‘Shkollën e Partisë’. Ia dhashë dhe pasi doli nga libraria, u thashë atyre që qenë brenda: Ta marrësh ‘ANTI DYRINGUN’, ta ziesh mirë në një enë me ujë të përvëluar, të marrësh dhe trutë e këtij e, t’i ziesh në një enë tjetër, t’i bashkosh të dy lëngjet në një enë të tretë, t’i përziesh mirë e mirë dhe t’i lësh sa të ftohen, kur ç’të shohësh, lëngjet do ndahen nga njeri tjetri si të prerë me thikë!!!
Nuk e qasin njeri – tjetrin gjëkundi! Më ka bënë përshtypje, kur ndonjëri, pasi ka blerë veprën e klasikëve, nuk ka dalë nga libraria. Ka pritur një moment, që unë të isha lirshëm dhe më është drejtuar: ‘Alizot, e mora unë, miru pafshim’! Me sa duket, këta pandehin se unë shpie informacion në Komitetin e Partisë, se kush ka marrë vepra e kush jo. U ju raftë pika, thom me vete! Ç’është e vërteta, unë u jam përgjigjur me seriozitet; ‘Po, po, e pashë’! – që të merrej vesh e të vinin dhe të tjerët, shokët e tyre. S’kishte derman tjetër kjo punë! Mezi shpëtova”! – e mbylli Zotia.
FOTOGRAFIA E HRUSHOVIT
Në librarinë e Alizotit binte në sy mënyra e reklamimit. I kushtonte vëmendje të veçantë vitrinave. Tabela e dyqanit, “LIBRARI – KARTOLERI”, kur ishte privat, dallonte në gjithë pazarin. Realizoi me një elektromotor të vogël një reklamë rrotulluese, e vetmja në Gjirokastër. Kalimtarëve u mbetej koka nga vitrina e Alizotit.
Më vonë, kur u detyrua të mbyllte aktivitetin privat, filloi punë si librashitës në shtet. Edhe aty dallohej, veç të tjerave, për shpirtin e reklamës. Krijoi diçka të veçantë. Përgatiti vetë në shtëpi ekspozimin e tri fotografive të mëdha brenda një kornize të vetme. E vendosi te vitrina e librarisë. Kur shikoje vitrinën përballë, brenda kornizës dukej fotografia e Enverit, kur e shikoje kornizën anash, dukeshin dy fotografi të ndryshme: nga njëri krah dukej Stalini, nga krahu tjetër dukej Lenini.
Me këtë foto të çuditshme, për atë kohë, bëri të mundur, që përsëri njerëzve t’u mbetej koka e kthyer nga libraria e Alizotit. Por njëkohësisht, me këtë poli-foto, ku kish bashkuar në një kornizë tre udhëheqësit e asaj kohe, Alizoti bënte një rrugë e dy punë. Nga një anë donte të tregonte se nuk ishte akoma “armik i sistemit”, nga ana tjetër, realizonte atë që kishte në gjak, reklamën. Njerëzit përsëri kthenin kokën për të parë katër burra, Enverin, Stalinin, Leninin, dhe mënjanë Alizotin.
Kjo punë zgjati shumë vite. Për fotografitë që do vendoste në të majtë e në të djathtë të Enverit, Zotia konsultohej me ata të Komitetit të Partisë, në mënyrë që Enveri të ndihej sa më “rehat” në kornizë. Po të rrinte “rehat” Enveri, mund të rrinte i pa shqetësuar dhe Zotia. Më vonë, sipas porosive, u hoq Stalini e u vendos Hrushovi në kornizë.
Në vitet ’60-të filloi e çara midis Enverit e Hrushovit. Zotia dëgjonte radiot e huaja në shtëpi. Dëgjonte “Zërin e Amerikës”, radiot italiane dhe merrte informacione për ato që ndodhnin në botë, e sidomos për ato që kishin lidhje me Shqipërinë. Sapo e ndjeu erën e “leckës së djegur”, shprehje që e përdorte Alizoti në këto raste, hoqi nga vitrina kornizën me tre udhëheqësit dhe e futi brenda nën banak, në librari.
Erdhi në librari një nga miqtë e Zotes, Cike Borova. Me Ciken Zotia ndihej mirë, bënte muhabet pa teklif, ndonëse ai ishte ushtarak. Nuk ruhej nga Cikia. I bëri përshtypje Cikes mungesa e kornizës me fotot e udhëheqësve në vitrinë.
– “Pse e ke hequr nga vitrina kornizën me fotografitë e udhëheqësve”? – pyeti Alizotin.
– “Më është çjerrë një çikë fotografia e Hrushovit!, – ju përgjigj Alizoti -, dhe e hoqa se binte keq në sy, sa të gjejmë ndonjë fotografi tjetër”.
– “Mirë bëre, – i tha Cikia -, po shikoje dhe një herë, se nuk të është çjerrë një çikë, të është çjerrë shumë. Mos kërko një herë për një herë fotografi tjetër”.
U kuptuan!
Ato që Zotia i kish dëgjuar nga radiot perëndimore, Cikia i kish marrë vesh nga informimi, që u bëhej fillimisht veçmas, komunistëve e ushtarakëve.
MARKSI SHENJTOR
Libraria ishte tek “Sheshi i Çerçizit”. Nuk ishte ndërtuar Hotel Turizmi në Gjirokastër. U fut në librari një plakë shumë e moshuar. Nga veshja dallonte se ishte nga Dropulli. Po shikonte me vëmendje nëpër rafte. Librashitësi po e shikonte i çuditur. Nga insistimi i saj u kuptua se nuk kish ngatërruar rrugën, se ndryshe do të kish dalë menjëherë nga libraria, siç ndodhte shpesh kur e ngatërronin me dyqanin e djathit. Diçka po kërkonte. Ju afrua Zotia dhe e pyeti greqisht:
– “Çfarë dëshironi”?
– “Dua diçka për ta varur tek muri”, – ju përgjigj plaka.
– “Kam një shenjtor, – i tha me zë të ulët Alizoti -, e do”? Plakës i ndriti fytyra.
– “Afrohu këndej”, – i tha Zotia dhe e çoi në fund të librarisë, nga ku dukej pjesa mbrapa ndarjes, që ishte si magazinë. Zotia mori një fotografi të madhe me ngjyra të Karl Marksit dhe ja ekspozoi në dritë plakës.
– “Është shenjtor! – i tha, – të pëlqen”?
Plaka bëri menjëherë kryqin dhe u fal para Marksit, sikur po merrte teserën e Partisë Komuniste. Zotia i shërbeu me solemnitet në këtë mikro ceremoni fetare. Si u çlirua plaka, Zotia ia bëri rulon dhe e porositi se mos e zhubroste rrugës “Shenjtorin”. Plaka e pa me inat shitësin, që guxoi ta këshillonte, se si duhej të mbante “Shenjtorin”. Bëri dhe njëherë kryqin dhe e mori me kujdes të veçantë. E ndërsa mori të largohej, shitësi e porositi:
– “Se mos harrosh t’i ndezësh qirinj”!
– “Sapo të vete në shtëpi, biro, do t’ja lë ndezur dit’e natë”!
– “Alizot, mos të ta marrin për keq ‘këta’”? – e pyeti me merak një shok, që u ndodh në librari.
– “Nuk e besoj,- ju përgjigj Zotia -, s’kanë se përse. Unë për ‘Shenjtor’ e dhashë. Le të venë ta shohin, po nuk qe me qirinj të ndezur. Plaka nuk më turpëron mua. Ajo e bëri kryqin tre herë në librari, pa le se çdo t’i bëjë në shtëpi. Pastaj, a nuk falen dhe ‘këta’ para Marksit”?! Memorie.al
