Analisti Auron Dodi, në një lidhje me studion e Neës24, foli për perspektivën e Gjermanisë për të pasur armë bërthamore, duke komentuar deklaratat e fundit të kancelarit Friedrich Merz.

News24: A duhet të ndërtojë Gjermania një bombë të vetën bërthamore? Deklarata të fundit të kancelarit Friedrich Merz kanë tërhequr vëmendjen në Gjermani.

Për të mësuar më shumë jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në Deutsche Welle.

Fillimisht, cilat janë deklaratat e kancelarit Merz për armatimin bërthamor?

A.Dodi: Bëhet fjalë për dy deklarata të kancelarit për armatimin bërthamor: e para në konferencën e Sigurisë në Mynih javën e kaluar. Në të, kancelari Merz tha se “kam nisur bisedimet e para me Presidentin francez Emmanuel Macron, për një frikësim bërthamor evropian”.

Pra fjala është që armët bërthamore franceze të përdoren në rast nevoje edhe për mbrojtjen e shteteve të tjera të BE.

Merzi tha se Gjermania nuk synon të “krijojë zona të sigurisë së ndryshme në Evropë”. Synohet që „brenda strategjisë së pjesëmarrjes bërthamore në NATO” evropianët të kenë një shtyllë vetjake.

Deklarata e dytë e kancelarit Merz u bë këtë javë. Merz-i tha se “nuk dua që Gjermania të mendojë për mundësinë e pajisjes me armë të veta bërthamore.”

News24: Pse bëhen këto deklarata: a pritet që armët bërthamore amerikane të mos e mbrojnë më Evropën e Gjermaninë?

A.Dodi: Sipas ekspertëve të sigurisë, në Evropë, edhe në Gjermani, jane të stacionuara rreth 100 armë bërthamore amerikane. Në një emergjencë, këto bomba mund të përdoren nga avionët luftarakë gjermanë dhe të shteteve të tjera, si të Belgjikës, Greqisë, Italisë, Holandës dhe Turqisë. Ky përdorim kihet parasysh kur flitet për “pjesëmarrje bërthamore në NATO”. Pra ato vende të NATO-s që nuk kanë armë bërthamore marrin pjesë në planifikimin e përdorimit të armëve dhe në ekzekutim, me pilotët e tyre. Kodet për t’i aktivizuar armët bërthamore mbeten megjithatë në duart e ushtrisë amerikane.

Por në disa shtete evropiane kanë nisur reflektime, për të pasur armë vetjake bërthamore, pas ideve të fundit të administratës amerikane, për ta reduktuar angazhimin mbrojtës ndaj Evropës. Diskutime ka pasur javën e fundit p.sh. në Poloni, ku Presidenti Nawrocki e mbështeti idenë; edhe në Turqi, ku ministri i Jashtëm Fidan përmendi këtë javë kërcënimin iranian; së fundi edhe në Gjermani.

News24: Si duhet kuptuar atëherë deklarata e kancelarit Merz që Gjermania të mos mendojë për armët e veta bërthamore?

A.Dodi: Kjo duhet kuptuar në sfondin e historinë e Gjermanisë. Zotërimi i armëve bërthamore do të thotë braktisje e tabusë së fundit të politikës gjermane të sigurisë së pasluftës, që ka qenë një politikë e vetëkufizimit ushtarak.

Për Gjermaninë, zotërimi i armëve bërthamore ka pengesa juridike, në aspektin ndërkombëtar, por edhe në aspektin nacional. Në aspektin ndërkombëtar: në Traktatin 2+4 të ribashkimit të Gjermanisë (Traktati ndërmjet dy Gjermanive dhe katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore) të vitit 1990, si dhe në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore të vitit 1970, Gjermania premtoi të mos zotërojë armë të veta bërthamore.

Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore lejon në Evropë vetëm Francën dhe Britaninë e Madhe të zotërojnë armë bërthamore. Edhe nëse traktatet në fjalë duken sot si të një epoke tjetër, janë dokumente në fuqi.

News24: Çfarë jehone ka pasur në nivel nacional në Gjermani deklarata e kancelarit?

A.Dodi: Deklarata e kancelarit Merz ka ngjallur diskutim, për momentin kryesisht diskutim mediatik. Analistë citojnë si kërcënim arsenalin e madh bërthamor të Rusisë. Ndaj përballë pasigurisë për ombrellën bërthamore amerikane dhe potencialit më të vogël mbrojtës të armëve bërthamore franceze dhe britanike, analistë thonë se pakujdesi është të mos mendosh, jo të mendosh për një armatim bërthamor gjerman.

Me këtë rast, një ekspert i njohur shtron në revistën Der Spiegel pyetjen: a është Gjermania e gatshme të zhvillojë luftë bërthamore?

Pyetja shtrohet sepse për përdorimin e një bombe bërthamore, e deri në ç’masë duhet të përdoret ajo, nuk ka një përgjigje popullore gjermane. Kjo nuk është diskutuar kurrë, pasi Gjermania nuk ka pasur strategji bërthamore.

Por përgjigja për gatishmëri për luftë bërthamore shihet si vendimtare, për sinjalin që i jepet një agresori potencial. Zotërimi i armëve bërthamore artikulon në radhë të parë një kërcënim psikologjik për një agresor.

News24: Pse të mos jetë Gjermania e gatshme t’i përdorë armët bërthamore në rast emergjence, po t’i ketë?

A.Dodi: Politika e sigurisë e Gjermanisë së pasluftës është ndërtuar mbi bazën e veprimit në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit evropian. Braktisja nga Gjermania e traktateve ndërkombëtare për armët bërthamore do të ishte largim nga kjo qasje. Pasi me armë vetjake bërthamore, Gjermania do të merrte vendime respektive vetjake. Kjo mund të shkaktojë pasiguri jo vetëm te agresorë potencialë, por edhe te fqinjët, si te Franca dhe Polonia.

Disa analistë ngulin këmbë për shtimin e mëtejshëm të armatimit konvencional, edhe të raketave me rreze të gjatë veprimi. Armatimi konvencional, i nevojshëm për ta vonuar sa më shumë përdorimin e një bombe atomike, pasi arrin ta dëmtojë kundërshtarin paraprakisht me mjete të tjera, nuk ka koston e armës bërthamore për Gjermaninë.

Mbetet një diskutim i hapur prej dekadash, sa më i sigurtë është vërtet një shtet me armë bërthamore. Fakt është që shtetet me armë bërthamore nuk i kanë sulmuar.

News24: Dhe pyetja e fundit: teknikisht, sa shpejt mund ta ndërtonte Gjermania një bombë atomike?

A.Dodi: Një shkencëtar që ka punuar në qendrën kërkimore për teknologjinë bërthamore në Jülich, i tha gazetës Die Welt se Gjermania do të ishte “brenda tri vjetësh në gjendje, që të ndërtonte një bombë atomike.” Gjermania ka njohuri të dokumentuara, për trajtimin e materialeve shumë të pasuruara. Dhe ka shkencëtarë, të teknologjisë së reaktorëve, të shkencës së materialeve dhe mbrojtjes nga rrezatimi. Pasi për dekada ka bërë kërkime shkencore në qendrat e saj kërkimore si në Jülich apo Karlsruhe. Ka laboratorë funksionues kërkimorë si Garching FRM‑II.

Por një ekspert tjetër tërhoqi më parë vëmendjen në radion bavareze se për të ndërtuar një armë bërthamore, Gjermania duhet ta ndërtonte thuajse nga e para infrastrukturën bërthamore civile. Pasi e ka çmontuar atë mjaft, pas mbylljes së reaktorëve bërthamorë gjermanë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb