Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar se Tatimet po përdoren nga qeveria shqiptare për t’i bërë presion bizneseve.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Tabaku teksa fliste për Paqen Fiskale u shpreh se është shqetësues fakti që qeveria shqiptare miraton një inicativë por nuk e shoqëron atë me aktet nënligjore, të cilët janë thelbësore për të përcaktuar mënyrën e zbatimit të saj.
“E kam kundërshtuar Paqen Fiskale dhe pagimin e gjobave, kjo pasi Tatimet janë përdorur si armë ndaj bizneseve, për presion ndaj bizneseve, kur sot janë mbi 2 mld euro gjoba dhe kamat vonese që qëndrojnë si lak në fytin e bizneseve.
Shqetësimi im lidhet me rivlerësimin e pasurive dhe amnistisë, kjo pasi qeveria shqiptare miraton një iniciativë edhe e lë në ajër pa zbatuar aktet nënligjore. Rivlerësimi është miratuar dhe nuk janë aktet nënligjore për t’i zbatuar. Njëjtë edhe me Paqen Fiskale. Kanë miratuar Paqe, pasi detyruan 60 përqind të 200 mijë bizneseve të falimentojnë, dhe tani detyrohen bizneset të presin çdo të ndodhë.
Kjo krijon presion dhe ngërç.
Self Care ka 2 muaj që nuk funksionon. Profesionistët e lirë nuk gjenerojnë dot një faturë. Institucion që përveç interesave që janë atje dhe nuk e lënë biznesin të lirë është përdorur edhe për presione”, tha ajo.
