40 vjet më parë, më 23 Shkurt 1986, Idrizi& Kimetja, Aliu, Avniu, Duraku, Ganiu dhe Ramizi, këta përfaqësues dinjitozë të emigracionit tonë në Bruksel ngjitën për herë të parë me ankth dhe emocione të veçanta shkallët e godinës së Radio ” Panik” në Rue de la Ruche, 11 në Scharbeek, Bruksel. Atyre u printe shoku i tyre i ngushtë, dibranin 32 vjeçar Sakip Skepi, i cili në dimrin e acartë të vitit 1958, kur ishte vetëm 5 vjeç bashkë me 26 familjarë dhe të tjerë kryen arratisjen më spektakulare drejt ish Jugosllavisë nga Dibra dhe në vitin 1967 u vendosën në Bruksel. Me ndihmën dhe mbështetjen e prindërve të tij atdhetarë dhe mendjehapur ai përfundoi studimet në Universitetin e Lirë të Brukselit për financë, mes vështirësive jo të vogla. Mbas shumë vitesh si ekonomist, nga viti 2005 dhe në vazhdim vazhdon si ekspert i kredive bankare dhe pasurive të patundshme.
Bashkë me familjet ata kishin kaluar vite të tëra në kalvare vuajtjesh dhe privimesh njerëzore si pasojë e diktaturës së kuqe në Atdheun e tyre. Atë ditë shkurti ata filluan të shkruanin një kapitull të ri në kryeqytetin e Europës së bashkuar.
Ishin vite kur në Shqipëri rregjimi monist kishte shtrënguar në kulm zgjedhën e tij në të gjitha fushat, duke kaluar në vetrrethim. Shqipëria i ngjante një bunkeri me lajme dhe informacine tejet të kufizuara, « rozë » të filtruara nga rregjimi. Ndaj, si kudo edhe në Belgjikë, bashkëatdhetarët tanë emigrantë kishin “uri” dhe “etje” për informacion, për të ditur se ç’po ndodhte realisht në tokën amë; cila ishte perspektiva e atjeshme, a do vazhdonte shtypja dhe dhuna, sidomos pas reformave të Gorbaçovit pas vitit 1985 apo prapë “as lindje adhe as perëndim”!
Natyrisht ishte shtypi, media belge dhe franceze, por ato ishin tejet të sofistikuara për nivelin e hallexhinjve tanë. Edhe Zëri i Amerikës, Radio Vatikani, BBC-ja, dhe Deutsche Welle, megjithë rolin e tyre, prapë nuk e zgjidhnin dot problemin.
Sidomos kur vinte fjala për hallet, telashet dhe kërkesat e shumta që bashkëatdhetarët tanë kishin lidhur me përditshmërinë e jetës së tyre, njohjen me njeri tjetrin dhe rivendosjen e lidhjeve familjare, mësimi i gjuhës dhe në përgjithësi integrimi në shoqërinë e re perendimore në Belgjikë dhe gjetkë, jetën, traditat dhe historinë e tyre dhe deri te nevojat për kopshte dhe çerdhe.
Kini parasysh se po flasim për vitet 80, kur veç shtypit të shkruar dhe televizionit, askund nuk kishte mjete të tjera informimi; sa për internetin dhe rrjetet sociale as që bëhej fjalë. Edhe telefonat ishin të kushtueshëm dhe mund të ndihmonin kryrsisht për t’u çmallur dhe për të pyetur përt shëndetin e njerëzve të shtëpisë; por jo më shumë, mbasi ashtu si korrespondenca me letra telefonatat ishte të kontrolluara në Tiranë, atje te famëkeqja “Shtëpia me gjethe”. Ndërsa vajtja në Atdhe mbetej vetëm dëshirë, mbasi ajo ishte vërtet “mollë e ndalueme”.
Veç sa sipër, gjendjen dhe komunikimin mes emigrantëve e vështirësonte më tej Sigurimi i Shtetit shqiptar. Sektori i tij në Ambasadën tonë në Paris që mbulonte edhe Belgjikën ushtronte veprimtari të ethshme ndarëse dhe përçarëse mes emigrantëve; ca më tepër se reaksioni shqiptar, siç njihej atëhere, me Legalistët ishte i mirëorganizuar në Belgjikë; ish Mbreti Zog jetonte në Kanë, ndërsa Leka Zogu ishte shpesh mysafir në Bruksel. Për këtë ka shumë botime të njohura.
Në këto kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, nevoja për informim dhe komunikim të saktë, prania e zërit të së vërtetës mbi Shqipërinë ishte bërë nevojë ulëritëse dhe kërkonte zgjidhje të shpejtë. Për më tepër në kryeqytetin e Europës, sepse siç thuhej qysh atëhere ”nëse do që të dëgjohesh, fol në Bruksel, sepse Brukseli është vendi i duhur”!
Pikërisht këtu qëndron merita e madhe e ekipit që mori përsipër organizimin dhe drejtimin e radios në gjuhën shqipe. Edhe pse vetë ata, pas shumë përpjekjesh disa vjeçare, kujdesit dhe bujarisë së shtetit belg ishin sistemuar në Bruksel dhe gjetkë, me një banesë modeste, kishin krijuar familjet, ishin të punësuar dhe një status të kënaqshëm social në shoqërinë e ri belge. Mirëpo, prapë kjo nuk i qetësonte shpirtrat e tyre të trazuar , sidomos kur mendonin për kërkesat dhe nevojat e lartpërmendura për informim për familjet dhe bashkëatdhtarët e tyre në Shqipëri, në Belgjikë dhe gjetkë.
Me këtë ndjenjë atdhedashurie, nismëtarët e radios në shqip u ulën me përgjegjësi qytetare dhe hodhën themelet e radios në gjuhën shqip. Edhe pse nuk ishin gazetarë, ata kishin frymën dhe vullnetin që zëri i tyre të dëgjohej dhe të ishte kudo me jehonë. Dhe gjithçka nisi me hartimin dhe shpërndarjen e këtij njoftimi historik:
Në ndihmë të tyre u shprehën institucionet përkatëse belge të kulturës, të cilat i hapën pa hezitim dyert për atë nisëm të re. Jo vetëm me fjalë, por duke u vënë në dispozicion falas kohën dhe hapësirën e nevojshme në valët 105,4 FM.

U mendua gjatë edhe për emrin derisa u vendos ” Jehona e Shqipes” si emër i gjetur dhe i goditur; që tregonte qartë identitetin dhe zërin shqip të radios; mbi të gjitha emri ishte i kapshëm dhe i kumbueshëm dhe pa ngarkesa ideologjike.
Ja pse, Jehona e Shqipes ato ditë të ftohta shkurti në Belgjikë dhe në Bruksel u kthye në një rreze të madhe dhe të ngrohtë dielli dhe shprese për ditë më të mira; ajo ishte ngjarje me rëndësi dhe jehonë atdhetare e pastaj informative. Shumë shpejt, Jehona u kthye në një pjestare të çdo familjeje shqiptare. Dëgjimi i saj nuk ishte më çështje kurreshtje dhe kënaqësie, por domosdoshmëri dhe pjesë e jetës.
Pritja e saj entusiazte nga të gjitha bashkëatdhetarët ishte një sinjal, inkurajim dhe shpërblim i madh për përpjekjet e ekipit nismëtar. Falë lajmëve që dëgjonin nga Radio “ Jehona e shqipes” bashkëatdhetarët filluan të dinin shumë dhe më konkretisht se ç’po ndodhte në Bruksel dhe gjetkë, mbi të gjitha në Shqipëri dhe në viset e tjera, motivimi dhe lidhjet mes tyre filluan të shtohen dhe zgjerohen.
Shembja e komunizmit dhe agimi i demokracisë në vitin 1992 shënoi një kapërcim epokal me shumë shanse dhe sfida edhe për “Jehonën e Shqipes”. Tanimë, mbasi e kishte kryer misionin e saj mediatik anti-komunist, ajo ballafaqohej me kërkesën që të ndikonte dhe të ndihmonte sa më shumë për ndërgjegjësimin e bashkëatdhetarëve me idealet demokratike, mirëkuptimin dhe pajtimin e brezave.
Ndërkohë, edhe për Jehonën e Shqipes u krijuan avantazhe dhe lehtësi të mëdha, sepse më në fund shpëtoi nga ndërhyrjet, shantazhet dhe presionet e Sigurimit të Shtetit; rikujtojmë se në vitin 1987 dhe 1988 ai bëri çmos edhe pse pa sukses me lajka dhe trysni që Radioja shqip në Bruksel ta mbyllte zërin e saj.
Shumë shpejt, Jehona u kthye në një tribunë të madhe të fjalës dhe mendimit të lirë. Aty shkuan dhe ndanë hallet, shqetësimet por edhe mesazhete tyre madhore qysh nga bashkëatdhetarët më të thjeshtë dhe deri te kolosët e artit, kulturës dhe letërsisë sonë, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ibrahim Rrugova, Rexhep Qosja, Femi Agani, Anton Çeta, Mentor Çoku, Sami Rrepishti, Don Simon Jubani dhe përfaqësues të tjerë të klerit shqiptar, si edhe përfaqësues të opozitës së re në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Aty kanë folur artistët tanë të shquar, Mirush Kabashi, Timo Flloko, Tefta Radi, Arif Vladi, Liri Rasha, Merita Halili, Zef Deda dhe shumë të tjerë.
Te Jehona kanë folur edhe bashkëatdhetarë të tjerë që u bënë personalitete të njohura, deputeti i parë në Parlamentin e Brukselit dhe tani Ushtruesi i kryetarit të Komunës së Molenbekut, Ahmet Gjanaj, deputetja e tanishme, Griselda Bytyçi, publicisti dhe Këshilltari i Kryebashkiakut të Brukselit, Safet Kryemadhi, zyrtarë të tjerë shqiptarë në komuna dhe dikastere, diplomatë, ambasadorë, etj.
Ndërkohë, Jehona tërhoqi edhe vëmendjen e medias belge dhe franceze, të gazetave prestigjioze Le Soir, Le Monde dhe La Libre Belgique si dhe te televizioneve kryesore franceze dhe belge, të cilat i dhanë mbështetje morale, duke përcjellë jehonën e saj.
Me kalimin e viteve, stafi i radios vazhdoi punën me përkushtim edhe më të madh, duke u ripërtërirë e u modernizuar falë rrjeteve sociale, internetit dhe dixhitalizimit.
Po ashtu në 20 vitet e fundit aty erdhën njerëz dhe gazetarë të rinj, duke e rritur ndjeshëm numrin dhe sidomos cilësinë e rubrikave. Pas vitit 2011 aty u aktivizua për disa vite gazetari i njohur Fatos Mahmutaj, i cili i shpëtoi plumbit dhe përndjekjes në Tiranë pas plagosjes më 21 Janar 2011. Ndërsa nga viti 2014 e në vazhdim vijon të kontribuojë Spartak Fikaj, afarist dhe analist i spikatur politik.
Një ndihmesë të veçantë në ndryshimet në 10 vitet e fundit ka dhënë gazetarja e apasionuar televizive, Ledia Canaj, e cila i dha radios një dimension të ri, cilësor dhe më tërheqës, duke e futur aktivisht edhe në rrjetet sociale. Veç ndihmesës së saj të madhe në radio, disa vite më parë, Ledia themeloi Shtëpinë kulturore belgo-shqiptare “Shqipville“ në qendër të Grande Place në Bruksel.
Ajo u bë për gati 10 vjet pikë takimi elitare e të gjithë bashkëatdhetarëve për festa, gëzime, promovime botimesh dhe ngjarje të ndryshme të mëdha dhe festive. Kësisoj, ajo e çoi edhe Jehonën e Shqipes aty në Grand Place emblematik me intervista dhe lajme të çastit. Shqipville u kthye edhe në një lloj mini ekspozite me produket më tërheqëse shqiptare të artizanatit, pijeve dhe kulinarisë.
Për fat të keq, për shkaqe financiare dhe mungesës së mbështetjes edhe nga Tirana, nga ajo u mbyll muajt e fundit, edhe pse mijra bashkëatdhetarë nënshkruan peticion kundër mbylljes së saj.
Nuk mund të flitet për Jehonën, pa përmendur ndihmesën e veçantë dhe të çmuar në 25 vitet e fundit, sidomos në fushën e kulturës, letërsisë, artit dhe sportit të intelektualit të mirënjohur të diasporës sonë, Kol Gjeloshaj. Çdo javë ai i njeh degjuesit dhe ndjekësit me të rejat më të fundit nga këto fusha. Gjeloshaj është bashkëpunëtor në Universitetin e Lirë të Brukselit, i zgjedhur në forumet drejtuese të sportit europian dhe i vlerësuar edhe nga institucionet në Shqipëri.
Jehona ka vazhduar të ripërtërihet vazhdimisht me programe, emisione, rubrika dhe debate mbi baza vullnetare. Kohët e fundit, ajo është kthyer në një tryezë qytetare debati dhe diskutimi mes redaksisë së zgjeruar me arkitekten e apasionuar të diplomuar në Paris, Flavia Kuqi, avokaten e spikatur Enida Rrapaj, me fotografen e apasionuar, Anila Malaj dhe me shumë të ftuar elitarë. Si zakonisht me lidhje direkte me Tiranën, me personalitete të politikës dhe medias sonë dhe nën shoqërimin e muzikës tonë popullore.
Vlen të theksohet se miq dhe bashkëpunëtorë të Jehonës kanë qenë dhe mbeten edhe gazetarë të shquar, si Aleksander Çipa, Arben Muka, Mentor Kikia, Mentor Nazarko dhe të tjerë, të cilët kanë ndihmuar në rritjen e profilit publik të radios.
Veç bashkëpunimit të ngushtë dhe produktiv të Jehonës me Ambasadën tonë në Bruksel, ku kam shërbyer dy herë për 10 vite, autori i këtyre radhëve është ndjerë i privilegjuar që ka qenë disa herë pjesë e debateve dhe diskutimeve për problemematikat e integrimit Europian dhe te gjeopolitikës në përgjithësi. Se kam ndjerë të njëjtin nivel dhe përgjegjësi si në lidhjet me televizionet në Tiranë.
Krahas aspektit mediatik Jehona e Shqipes ka ndihmuar dhe sponzorizuar shumë evente kulturore dhe artistike, si Konkursin Miss Shqipëria, koncerte të artistëve tanë, promovime librash, si tani së fundi të botimit voluminoz “Shqiptarët e Belgjikës” të gazetarit të njohur Flori Slatina, i cili jep një tabllo të personaliteteve më të njohura shqiptare në Belgjikë në të gjitha fushat. Madje, qysh me fillimin e punës së saj, në vitin 1987, Jehona dhe drejtuesi i saj, Sakip Skepi mbështeti në çdo aspekt realizimin e filmit të parë me tematikë shqiptare jashtë vendit “Prilli i thyer” me regjizoren e mirënjohur Liri Begeja.
Në përfundim, në këtë jubile, meritojnë përgëzimet dhe fjalët më të mira të gjitha ata që kanë kontribuar për Jehona e Shqipes, duke filluar nga pionierët dfhe nismëtaret e saj. Edhe pse nuk mundën të vazhdonin gjatë, për shkak të emërimit të tyre në funksione drejtuese në institucione të ndryshme belge, ata prapë mbetën aktivistë dhe dashamirës të saj. I ndjeri Idriz Basha që në vitin 1997 u emërua Ambasadori ynë në Belgjikë, bashkëshortja e tij aktive, Kimete Basha – Mitrovica, e cila filloi atëhere punën si profesoreshë e njohur në një shkollë ndërkombëtare; por bashkë me zotërinë e saj të ndjerë, ajo ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në eventet e diasporës; Ali Islamaj për 20 vite rresht, deri më 2018 kur doli në pension ishte drejtor i Shkollës së Mesme Profesionale të Hotelerisë; ai dha një ndihmë të jashtëzakonshme për binjakëzimin e saj me Shkollën tonë të Turizmit në Tiranë, me vizita dhe aktivitete të shumta të përbashkëta dhe me mbështetje për Ambasadën tonë në Bruksel në vitet 2012 – 2018. Nismëtari tjetër i Jehonës, Avni Islamaj u angazhua me veprimtari afariste, ndërsa Durak Duraku filloi punën si zyrtar drejtgues në Ministrinë Federale të Brendshme; edhe Gani Sheta dhe Naim Lika u angazhuan në punë të tjera të ndryshme.
Kësisoj, vetëm Sakip Skepi mundi të ”rezistojë” të qëndrojë dhe të vazhdojë edhe sot të drejtojë dhe moderojë radion historike, me vlerësimet më të mira edhe nga shokët dhe miqtë e 23 Shkurtit 1986. Ndaj, ai meriton respekt dhe simpati të veçantë, për zellin dhe pasionin e treguar në funksionimin normal të radios në shqip dhe rolin e saj edhe jashtë misiont mediatik. Sakipi e ka zbatuar në praktikë këshillën kenediane që mos pyesni çka bërë Atdheu për ju, por çfarë keni bërë ju për Atdheun.
Ndaj, organizmat tona jo-qeveritare e kanë çmuar vepritmarinë artdhetare dhe mediatike të Jehonës së Shqipes. Sidomos Qendra e Ekselencës në Tiranë, e cila në muajin Dhjetor 2024 e nderoi drejtuesin e saj emblemë me Medaljen e Ekselencës; po, ashtu, edhe media jonë, sidomos grupi mediatik ” Focus” Panorama dhe Ballkanweb i kanë bërë jehonë në rubrikat dhe kronikat e tyre jetës dhe veprimtarisë së Radios ” Jehona e Shqipes”.
Ndryshe ka ndodhur me shtetin shqiptar dhe institucionet e tij të cilat i janë borxhlli, qoftë edhe me një medalje të lartë, plotësisht të merituar. Shpresojmë që me rastin e aktiviteteve festive që do të zhvillohen së shpejti për 40 Vjetorin e radios shqipe, autoritetet tona shtetërore, ta nderojnë ashtu siç e meriton themeluesin dhe drejtuesin e Jehonës së Shqipes dhe ekipin e tij ndër vite. Deri atëhere, le të urojmë: Gëzuar Ditëlindjen, edhe 100 vite të tjera të begata Radio “Jehona e Shqipes“!
