Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri kanë pritur në zyrat e partisë banorët e fshatit Rrjoll që prej disa javësh janë ngritur në protesta për të mbrojtur tokat që ata i pretendojnë me dokumente pronësie, por që së fundmi në atë zonë është miratuar ndërtimi i një resorti turistik.
Përfaqësues të qindra banorëve të Rrjollit iu shprehën deputetëve të Mundësia pretendimet për grabitje të pronave të tyre, teksa i falënderuan Shehajn dhe Kaprin për mbështetjen e deritanishme dhe ngritjen e çështjes në Parlament.
“Unë ia kam dhënë fjalën atyre banorëve që unë do i shkoj deri në fund o do të vdes. Jeni të vetmit ju që na keni mbështetur në çdo rast. Ju faleminderit nga zemra, t’ju them sinqerisht që kur ju kam parë që keni folur për ne, jam kënaqur, më është bërë zemra mal sepse e pashë që dikush po na përkrah,”- tha Prek Molla.
Kryetari i Mundësia Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri premtuan se mbështetja politike dhe ngritja e kauzës për të drejtën e pronës do të vijojë në Parlament për të gjithë banorët që përballen me padrejtësitë e kësaj Qeverie.
“Për sa mundemi do ju mbështesim, do ju mbështesim në Parlament, do ju mbështesim politikisht”, tha Shehaj.
“Ne duam të gjejmë një zgjidhje të ligjshme që të na jepet e drejta jonë”, tha një nga banoret e Rrjollit, Luçiana Kokaj.
“Unë jam i bindur që ju keni të drejtë nuk ka asnjë diskutim. Çfarë mund të bëjmë? E kemi ngritur çështjen tuaj, kemi ardhur aty, ka ardhur deputeti Kapri. Në Parlament e kemi ngritur vazhdimisht si çështje si një rast specifik se si rrëmbehet prona e qytetarëve shqiptarë nga njerëz të pushtetshëm. Ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ju ftojmë të vazhdoni të ngulni këmbë, të mos dorëzoheni”, theksoi Shehaj.
Prej rreth 20 ditësh banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë kanë nisur një protestë në kundërshtim të ndërtimit të një resorti turistik në zonën ku ata pretendojnë se kanë tokat e trashëguara nga të parët e tyre dhe për të cilat thonë se zotërojnë dokumente.
Ata janë përplasur çdo ditë me policinë dhe dhjetra prej tyre janë shoqëruar në Komisariat, ndërsa banorët kanë shprehur vendosmërinë se nuk do tërhiqen deri në gjetjen e një zgjidhje të drejtë për tokat e tyre.
Partia Mundësia ka qenë në përkrahje të këtyre banorëve që në ditët e para të protestës.
