Gazetari Mentor Kikia ka denoncuar punë e bërë nga kompanitë “ANK” dhe “2T” në rrugën Librazhd-Prrenjas, e cila është bllokuar sot pas problemeve të krijuara nga shembja.
Në një postim në rrjetet sociale, Kikia shkruan se Rruga Elbasan – Qafë Thanë, ka qenë një nga rrugët me standardin më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, e ndërtuar rreth 25 vjet më parë nga një kompani maqedonase.
Ndërsa me ndërtimin e Korridorit të 8 kompanitë e mësipërme kanë kryer sipas tij masakër mjedisore edhe mbi lumin Shkumbin.
“Prej kaq kohësh as gropa në asfalt nuk kishte, edhe pse zero mirëmbajtje deri tani!
Anomalitë e krijuara në këtë aks, këto muajt e fundit, duhen kërkuar tek kompania që po ndërton rrugën e re, Korridorin e 8”, shkruan ai teksa shton se shembjet e rrugës ekzistuese kanë ndodhur aty ku po ndërtohet traseja e re.
Postimi i plotë:
Përse po bie rruga Librazhd – Qafë Thanë?
Rruga Elbasan – Qafë Thanë, ka qenë një nga rrugët me standardin më të lartë të sigurisë dhe cilësisë, e ndërtuar rreth 25 vjet më parë nga një kompani maqedonase. Prej kaq kohësh as gropa në asfalt nuk kishte, edhe pse zero mirëmbajtje deri tani!
Anomalitë e krijuara në këtë aks, këto muajt e fundit, duhen kërkuar tek kompania që po ndërton rrugën e re, Korridorin e 8.
Ajo ka kryer masakrën më të madhe mjedisore mbi lumin Shkumbin dhe krejt luginën. Nga Rrogozhina deri këtu ku po shembet kjo urë, rruga po ndërtohet me zhavorr lumi. Shtratin e lumit e kanë masakruar, e kanë shkatërruar tërësisht.
Ndërkohë që nuk ka lënë asnjë përrua pa gërryer e shkatërruar gjithashtu, për të marrë inerte.
A duhet përdorur zhavorri i lumit me gurë të rrumbullakët e të lëmuar për shtratin e rrugës? Le ta japin inxhinierët përgjigjen për këtë.
Por shembjet e rrugës ekzistuese kanë ndodhur aty ku po ndërtohet traseja e re. Çdo dëmtim ka një faturë financiare, të cilën nuk duhet ta paguajmë ne.
