Bllokimi i aksit rrugor Librazhd–Pogradec ka detyruar dhjetëra drejtues mjetesh të zgjedhin si alternativë rrugën Maliq–Gramsh.

Por situata paraqitet problematike edhe në këtë segment. Në aksin Lozhan–Moglicë janë shfaqur rrëshqitje dherash, duke detyruar autoritetet të bllokojnë qarkullimin për arsye sigurie.

Si pasojë, radha e automjeteve ka arritur në disa kilometra, ndërsa shumë qytetarë kanë mbetur të bllokuar prej më shumë se tre orësh.

Gazetari Shkëlzen Henkoja, në një komunikim telefonik me disa prej drejtuesve të mjeteve, mëson se situata është përkeqësuar edhe për shkak të errësirës, çka nuk lejon ndërhyrje apo nisjen e punimeve për hapjen e rrugës gjatë natës.

Sipas informacioneve paraprake, pritet që nesër në orët e para të mëngjesit të mbërrijnë ekspertët për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar nëse mund të lejohet rifillimi i qarkullimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb