Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka reaguar pas bllokimit për orë të tëra të aksit Prrenjas-Librazhd.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se 1.1 miliardë euro tendera për rrugë, për të cilat është nën hetim zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, nuk kanë ndihmuar që rrugët të mos çahen sot si në kohë lufte.

Postimi i plotë:
KORRUPSIONI NUK FAL! AS NË FUNDJAVË!
Dhuna nuk është vetëm gazi në protestë, nuk është vetëm gazi në xhami. Nuk është vetëm gazi në selinë e opozitës.
Dhuna është kur 1.1 miliardë euro tendera për rrugë janë sot nën hetim për abuzime, me emrin e Belinda Ballukut, ndërsa rrugët çahen si në kohë lufte. Korrupsioni po bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Dhuna është kur kryeministri u ofron imunitet politik të kërkuarve nga drejtësia, krijon imunitet për vete, ndërsa qytetarët mbeten në rrugë të vjedhura e të pasigurta.
Prej orësh tashmë, juglindja e vendit është në kaos dhe tërësisht e bllokuar. Prej orësh, të moshuar e fëmijë janë të bllokuar në të ftohtë, në pamundësi për të shkuar në shtëpitë e tyre. Shteti ka ngritur duart dhe i ka braktisur.
Shqiptarët paguajnë miliona euro në muaj për mirëmbajtjen e akseve rrugore. Paguajnë taksa për sigurinë në rrugë. Por Edi Rama dhe Belinda Balluku, siç provojnë edhe hetimet e SPAK, paracaktojnë kompanitë e mirëmbajtjes së akseve rrugore, të cilat, në vend të punës, zgjedhin tarifën e korrupsionit dhe nuk bëjnë asgjë.
Kjo neglizhencë kriminale e shtetit ka kosto për qytetarët, deri në situata të dhimbshme si kjo më poshtë.
Vetëm reagimi qytetar dhe protesta e fortë do t’i japin fund vjedhjes dhe keqqeverisjes. Tregojeni me pjesëmarrje dhe me zë të lirë se durimi juaj ka mbaruar.
Asgjë nuk ndryshon me heshtje. As me pritje! Ne mund të ndryshojmë gjithçka vetëm duke reaguar!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb