Mediat amerikane raportojnë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh me Iranin këtë të premte në Gjenevë, me kusht që brenda 48 orëve të ardhshme të marrin një propozim të detajuar nga Teherani për një marrëveshje bërthamore.

Axios i referohet disa zyrtarëve amerikanë të cituar nga media amerikane, administrata në Uashington po pret një dokument konkret që do të përcaktojë qartë pozicionin e Iranit mbi programin e tij bërthamor dhe kushtet për një marrëveshje të re.

Burimet e cituara theksojnë se kjo shtytje diplomatike mund të jetë mundësia e fundit që presidenti Donald Trump është i gatshëm t’i japë Iranit përpara një përshkallëzimi të mundshëm ushtarak.

Sipas raportimit, nëse nuk arrihet përparim konkret, në tavolinë mbetet edhe opsioni i një operacioni të përbashkët ushtarak SHBA–Izrael, i cili mund të synojë drejtpërdrejt strukturat më të larta të regjimit iranian.

Në këtë kontekst përmendet edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, si figurë kyçe në vendimmarrjen strategjike të Teheranit.

Bisedimet e mundshme në Gjenevë vijnë në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, mes shqetësimeve për avancimin e programit bërthamor iranian dhe frikës për destabilizim të mëtejshëm në Lindjen e Mesme.

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet iraniane mbi kushtet e reja të përmendura në raport.

Zhvillimet e 48 orëve të ardhshme pritet të jenë vendimtare për fatin e negociatave dhe për drejtimin që do të marrë përplasja mes dy vendeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb