Më datë 15 mars skadon afati ligjor për kalimin në shqyrtim të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi I Shqipërisë. Deri më tani Rama me të tijët kanë fituar kohë si përmes padisë në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e masës së pezullimit, ashtu dhe përmes heshtjes së 10 ditëve të fundit që pas daljes së vendimit.
Ndërsa si “intermexo’ kanë përdorur ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për rishikimin e nenit të lidhur me pezullimin si masë ligjore për zyrtarët në detyrë. Rezultati k deritanishëm në lidhje me atë se çfarë do bëjë Rama me kërkesën për heqjen e imunitetit që i hap rrugë masave “arrest me burg” apo “arrest shtëpie”, është nul.
Peleshi sot në mënyrë të beftë po e kalon për shqyrtim kërkesën e SPAK në Komisionin e Mandateve, ç’ka e detyron Kuvendin të mblidhet në seancën më të afërt për votim, duke mos u shprehur se si ka ndërmend të votojnë gjysma e deputetëve të PS në komision.
Nga njëra anë ndodhet nën presionin e Ramës për të mbrojtur Ballukun përballë kërkesës së SPAK, e në anën tjetër ndihet I kërcënuar nga padia e Gazmend Bardhit në SPAK për “Shpërdorim Detyre”. Por sa do e mbajë Peleshi dhe mazhoranca këtë çështje pezull, duke mos u shprehur për qëndrimin që do mbajnë, është jo vetëm çështje afatesh më shumë sesa çështje vullneti. Sa më shumë afrohet 15 marsi, aq më shumë janë të detyruar të marrin një vendim. Si sot në komision ashtu edhe në seancë plenare nëse e kalojnë për votim.
Natyrisht që pas gjithë kësaj rrumpalle ligjore dhe politike brenda PS, qëndron pasiguria e Ramës, atij që drejton me dorë të hekurt partinë dhe mazhorancën në Kuvendin e Shqipërisë, deri më tani të paktën. Dhe ka arsye të forta që të bëjnë të besosh se Rama pavarësisht nga elozhet epiko-seksuale të Baton Haxhiut, nuk di ç’të bëjë, pasi ndodhet mes dy zjarresh. Nga njëra anë presioni I opinionit publik, segmenteve brenda PS, opozitës dhe ndërkombëtarëve e bëjnë të mendojë se zgjidhja më e mirë është miratimi i kërkesës së SPAK. Në anën tjetër duket se Balluku nuk bie dakort të dorëzohet tek drejtësia, pasi nëse do ishte ndryshe, do jepte dorëheqje të parevokueshme e hiqte dorë vullnetarisht dorë nga Imuniteti Parlamentar prej dy muajsh e gjysëm.
Por çfarë e pengon Ramën të rrezikojë kaq shumë ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të mazhorancës e atij vetë duke e shtyrë deri në kufijtë kohorë e ligjorë këtë vendim? Frika se Balluku mund të shërbejë si precedent për atë vetë sic pretendon opozita, apo fuqia e Ballukut brenda mazhorancës socialiste, ç’ka në rast kundërpërgjigjeje mund të shkaktonte humbjen e shumicës së votave për qeverinë dhe carjen e vetë mazhorancës? Këtë nuk e di askush deri më tani.
Por një gjë është e sigurtë. Presionin e opozitës që është mbytur nga pafuqia e vetë 13 vjecare me pak mijëra njerëz në sheshet e protestave, Rama ka treguar që nuk e llogarit si faktor presioni.
Precedentin që mund t’i hapte rrugë pezullimit të atij vetë në rast akuze nga SPAK, natyrisht që e përllogarit si rrezik potencial. Por me shumë gjasa edhe Balluku që sic flitet në korridoret e PS kontrollon disa mandate deputetësh që i ka vendosur vetë në listat e PS, nuk është një kërcënim i vogël për vijimësinë e qeverisë dhe mazhorancës. E mos flasim për çfarë përmban dosja hetimore në kuptimin e implikimit të vetë Ramës në abuzimet me tenderat e rrugëve. Edhe kjo do ishte një frikë legjitime për Kryeministrin që po mban pezull çështjen e Imunitetit të Ballukut në sirtarët e Nikos së shkretë!
Por ja që 15 marsi po vjen e Kryeministri e ka një zgjidhje për ti bërë derman faktorëve e arsyeve të brendshme. Të mos dorëzohet! Çështja është se I ka mbetur “sharra në gozhdë’ me BE. Të gjithë përfaqësuesit e BE që nga Gonzato e deri tek zëdhënësja e Komisionit Euroipan janë shprehur qartë se kjo çështje duhet të adresohet në Kuvendin e Shqipërisë e se drejtësia nuk duhet penguar të bëjë punën e saj. Drejtësia e ngritur, mbështetur e inkurajuar nga BE dhe SHBA me një qëllim: luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përndryshe marrëdhëniet e Shqipërisë me BE dhe më tej me SHBA mund të arrijnë në “pikë kritike”. Por meqë Rama ishte në Washington për Bordin e Paqes të Gazas, dhe këtë e shiti si marrëdhënie të shëndetshme, SHBA-të po i lëmë jashtë këtij diskutimi. Nëse ndodh kështu gjithnjë! Por me BE shumë të qartë e të vendosur për këtë çështje, punët duken keq. Aq sa Baton Haxhiu, mik i afërt dhe njëkohësisht këshilltar informal i Kryeministrit, akuzoi Gjermaninë si “vend i korruptuar”, duke lënë të kuptohet se përplasja Rama-BE-Gjermani (si vendi më influent brenda BE) është e pashmangshme. Këto deklarata shërbejnë zakonisht për të përgatitur opinionin publik në rast konfrontimi diplomatik, por edhe shaka me “miellin e gjermanit” nuk bëhet kaq kollaj.
Në fund të fundit BE dhe SHBA jo më kot janë dy partnerët strategjikë të Shqipërisë jo vetëm politikisht por edhe ligjërisht sic e ka përcaktuar vetë kjo mazhorancë në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, jo më larg se dy vite më parë. E një përplasje e hapur publike me BE do kishte pasoja të rënda politike e ekonomike për Shqipërinë.
E për një qeveri të lodhur nga skandalet, paaftësia e koha e gjatë në pushtet, një skenar I tillë mund të ishte fatal. Mos harrojmë që vetë Partia Socialiste ka abortuar disa herë kryeministrat e saj në të shkuarën.
Historia mbase nuk përsëritet, por edhe një e shkuar e pavlerë nuk është sic duan ta shesin Rama me shokë traditën e PS në vitet 1997-2005. Rama nuk duhet të harrojë që Zot ka vetëm një, e ky nuk është ai!
