Arsenal largon frikën, triumfon në derbin e Londrës përballë Tottenham duke mbajtur të “gjallë” ëndrrën titull. “Topçinjtë” dolën me 3 pikë pas suksesit 4-1, një fitore që mban provizorisht larg Man.City, me ekipin e Artetas që qëndron në krye, plus 5 pikë ndaj “qytetarëve”. Debutim i hidhur për Igor Tudor në stolin e Tottenham, me “gjelat” që e gjetën veten në dizavantazh që në minutën e 32-të, me Eze që realizoi golin e parë.
Tottenham reagoi shpejt dhe dy minuta më vonë, Kolo Muani me një aksion personal barazoi shifrat në 1-1. Pjesa e dytë ishte spektakolare, me Gyokeres që realizoi një gol të bukur në minutën e 47-të duke rikthyer shpejt “topçinjtë” në avantazh. Ekipi i Artetas nuk e uli ritmin për asnjë moment dhe në të 61-tën ishte Eze që përfitoi nga një top i ngecur në zonë duke realizuar golin e dytë personal dhe të tretin për Arsenal. Me Tottenham të hedhur përpara, në shtesë, në minutën e 94-ët, Gyokeres kompletoi “dopietën” e tij dhe “pokerin” e Arsenal duke bërë që Artata dhe pjesa tjetër e stolit të shpërthenin në festë.
Nuk e fshehu gëzimin për këtë fitore të madhe Mikel Arteta: “Nuk mund të jem më krenar se kaq, për këtë fitore dhe për mënyrën se si i kemi përjetuar këtë 72 orë. Pas pikëve të lënë përballë Wolverhampton, nuk ishte e lehtë, por kjo është e bukura e futbollit, të ringrihesh. Kjo fitore na jap pak frymëmarrje, të qetësohemi dhe të nisim përgatitjet për ciklin e radhës të ndeshjeve”, u shpreh Arteta.
