Rruga alternative Librazhd–Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht është kthyer në arterien e vetme që mban të lidhur Tiranën me Juglindjen e Shqipërisë, pas bllokimit pa afat të rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, e shkatërruar në zonën e Arrave të Gurrës. Një segment rural, i konceptuar për qarkullim lokal, sot përballon me qindra e mijëra automjete që kërkojnë një dalje nga izolimi.

Në këtë periudhë kritike, fluksi i jashtëzakonshëm i mjeteve ka nxjerrë në pah brishtësinë e infrastrukturës. Një pjesë e segmentit, e asfaltuar vetëm pak kohë më parë, ka nisur të degradohet nga ngarkesa e pazakontë, ndërsa pjesë të tjera, të amortizuara prej vitesh, janë bërë thuajse të pakalueshme. Gropat, çarjet dhe mungesa e parametrave të sigurisë po e kthejnë këtë rrugë “shpëtimtare” në një sfidë të përditshme për drejtuesit e mjeteve.

Banorët e Spatharit dhe përdoruesit e këtij aksi shprehen të revoltuar për mungesën e ndërhyrjes në terren. Sipas tyre, në një moment kur vendi po përballet me një nga krizat infrastrukturore më të mëdha të viteve të fundit, nuk ka prani të mjeteve të ASHP Librazhd apo kompanive që punojnë në zgjerimin e segmenteve të Korridorit VIII për të lehtësuar qarkullimin dhe për të stabilizuar këtë aks alternativ.

Mbrëmjen e së hënës, një përfaqësi e fshatit Spathar bëri thirrje për solidaritet dhe mbështetje institucionale për përmirësimin urgjent të parametrave të rrugës Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht. Ata paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë ndërhyrje konkrete në ditët në vijim, do të detyrohen të bllokojnë qarkullimin si formë presioni ndaj institucioneve përgjegjëse.

Ndërkohë, kjo rrugë nuk po shërben vetëm për qarkullimin e zakonshëm, por është jetike edhe për rastet e emergjencave dhe për lidhjen ekonomike mes Tiranës dhe Juglindjes. Çdo degradim i mëtejshëm i saj rrezikon të thellojë izolimin dhe të përshkallëzojë pasojat sociale e ekonomike.

Në një kohë kur sytë janë drejtuar nga zgjidhja e krizës në aksin kombëtar, rruga rurale që kalon përmes Spatharit po mban peshën e një përgjegjësie kombëtare por pa mbështetjen dhe investimin që kërkon një barrë e tillë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb