Ndahet nga jeta mjeku anestezist Ndue Simoni, një prej specialistëve më të hershëm të shërbimit të anestezi-reanimacionit në Lezhë.
Lajmi është bërë publik në rrjetet sociale nga deputeti i PD, Tritan Shehu.
“Ndue Simoni ishte një mjek dhe specialist i aftë, i përkushtuar dhe i devotshëm ndaj profesionit të tij. I njohur për korrektësinë, pasionin dhe dashurinë për mjekësinë, ai shërbeu për vite me radhë me përkushtim të palodhur në një nga detyrat më të vështira të sistemit shëndetësor.
Gjatë karrierës së tij, ai sakrifikoi shumë nga jeta personale në shërbim të pacientëve dhe komunitetit, duke lënë gjurmë të thella te kolegët dhe te të gjithë ata që patën mundësinë ta njohin dhe të punojnë me të.
Ngushëllimet më të sinqerta i drejtohen familjes së tij, kolegëve, miqve, si dhe shërbimit dhe shoqatës së anestezi-reanimacionit.
Ndue Simoni do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe mirënjohje të thellë për kontributin e tij në mjekësi”, shkruan Shehu.
