Ilda Zhulali, drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partia Demokratike e Shqipërisë, e ftuar në studion e News24, ka komentuar hetimet e nisura nga SPAK ndaj Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar edhe arrestimin.
Sipas Zhulalit, në dosjen hetimore bëhet fjalë për “korrupsion gjigant dhe vjedhje të papranueshme të taksave të qytetarëve shqiptarë”, si dhe për keqpërdorim të parave publike.
“Abuzimi shkon deri në kërcënimin e jetës së njerëzve. Nuk mund të flitet më për shtet ligjor. Ata i referohen të fortëve në dosje, që në gjuhën popullore i njohim si njerëz të përfshirë në krim dhe të lidhur me rrjete të tilla. Kur këta njerëz punojnë për zyrtarë të lartë dhe në këtë rast duan të kërcënojnë njerëz për llogari të zv/kryeministres, mazhoranca duhet të lejonte menjëherë vendosjen e saj para drejtësisë”, u shpreh Zhulali.
Ajo theksoi se çdo moment i qëndrimit të Ballukut në detyrë, sipas saj, përbën rrezik për qytetarët. “Çdo moment i saj në detyrë përbën rrezik për qytetarët sepse ajo nuk merret më me punë, cenon drejtpërdrejt jetët tona, po shemben rrugët në vend. Ministrja përgjegjëse për infrastrukturën nuk po merret me këtë punë, por me çështjen e vet”, deklaroi Zhulali.
Më tej, përfaqësuesja e opozitës shtoi se Balluku përbën rrezik edhe për shkak të ushtrimit të presionit ndaj vartësve të saj. “Ajo përbën rrezik për shkak të ushtrimit përmes pushtetit të presionit ndaj vartësve të saj për shkatërrimin e provave, etj.”, përfundoi Zhulali.
