Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Lisandër Hoxha, i ftuar në studion e News24, ka folur në lidhje me çështjen e hetimeve ndaj Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Gjatë intervistës, Hoxha u shpreh se qytetarët shqiptarë janë të shqetësuar për atë që ai e cilëson si pengim të drejtësisë për të vepruar ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Sipas tij, rasti i Ballukut është një provë e rëndësishme për funksionimin e shtetit ligjor në vend.

“Nuk të pranon njeri në Bashkimi Evropian kur e bën korrupsionin aleat dhe kur mazhoranca kërcënon me shkrirjen e SPAK-ut apo me minimin e punës së drejtësisë. Nuk mund të bëhen ligje për të përjashtuar veten nga veprimi i drejtësisë,” u shpreh ai.

Hoxha theksoi se kultura politike ku, sipas tij, “politikani hajdut fshihet pas kartonëve” duhet të marrë fund përfundimisht në Shqipëri. Ai paralajmëroi se, nëse vazhdohet me këtë qasje, vendi rrezikon pasoja në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij, veprimet e kryeministrit Edi Rama dhe të mazhorancës mund të çojnë deri në izolim të Shqipërisë. Hoxha deklaroi se Rama është i izoluar ndërkombëtarisht, duke përmendur mungesën e pjesëmarrjes në forume të rëndësishme si ai në Davos dhe në Mynih.

Ai përmendi gjithashtu vizitën në Uashington, për të cilën tha se nuk pati takime zyrtare, përveç një shtrëngimi duarsh me presidentin Trump.

Në përfundim, Hoxha theksoi se qëndrimi i administratës amerikane, sipas tij, është mbështetje e plotë për drejtësinë e pavarur në Shqipëri, pa ndikim politik, duke e cilësuar këtë si një mesazh të qartë për klasën politike në vend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb