Dinamo po kalon një moment delikat në kampionat dhe mungesa e fitores në fazën e tretë e ka lëkundur shumë pozitën e saj në “Final 4”. Fitorja e Partizanit, ka sjellë presion në kampin blu teksa dy javët e ardhshme mund të vendosin shumë gjëra për sa i përket ecurisë në këtë kampionat.

Dinamo do të përballet me Vorën këtë fundjavë e më pas do të ketë derbin me Partizanin, një përballje direkte për vendin e katërt që mund të ndryshojë ccdo situatë që është krijuar deri më tani. Nëse bëjmë një krahasim të fazave, kjo është padyshim faza më e dobët që Dinamo po bën dhe 4 pikë në 7 ndeshjet e luajtura, janë jashtëzakonisht shumë pak për një skuadër që pretendon të ngjitet në krye dhe të fitojë titullin kampion. Por, në një vëzhgim të bërë nga “Panorama Sport”, kuptohet se forma e Dinamos nuk është rastësi pasi nga faza në fazë, skuadra ka shkuar në rënie dhe këtë e konfirmon numri i pikëve që ka grumbulluar në total.

FAZA E PARË– Dinamo e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme duke mundur Vllazninë dhe duke bindur. Por, në fazën e parë kishte oshilacione të shumta megjithatë, në 9 ndeshjet e zhvilluara arriti të merrte 17 pikë duke qenë një nga skuadrat më në formë të kampionatit, pasi edhe të tjerat gabuan jo pak. Pas 9 javësh, Dinamo ishte 2 pikë larg vendit të parë dhe numëronte 5 fitore, 2 humbje dhe 2 barazime të tjera, duke qenë skuadër e konfirmuar.

FAZA E DYTË– Blutë shfaqën oshilacione të shumta në këtë fazë dhe humbën thuajse të gjitha ndeshjet me skuadrat direkte për titullin kampion. Ndryshe nga faza e parë, Dinamo grumbulloi 15 pikë në këtë fazë, ose e thënë ndryshe 2 më pak. Megjithatë, blutë ishin në vendin e tretë me vetëm 5 pikë më pak se vendi i parë. Në këtë fazë të dytë, Dinamo kishte 4 fitore, 3 barazime dhe dy humbje, duke shfaqur një moment më të keq se në fazën e parë e cila u duk fillimi i një sezoni të suksesshëm por, oshilacionet sollën dyshime të shumta.

FAZA E TRETË- Dinamo në këtë fazë ka qenë një skuadër me statistika të një skuadre që lufton për mbijetesë. Në 7 ndeshjet e para, Dinamo ka arritur të marrë vetëm 4 barazime dhe 3 humbje të tjera duke mos e shijuar fitoren. Kështu, vetëm 4 pikë janë grumbulluar në këtë fazë dhe në rast se Dinamo arrin të bëjë më të mirën në 2 ndeshjet e mbetura, do të shkonte në kuotën e 10 pikëve, ose 7 më pak se në fazën e parë dhe 5 më pak se në fazën e dytë. Ndërkohë, diferenca me vendet e para është e madhe dhe aktualisht, Dinamo renditet në vendin e katërt me 12 pikë më pak se vendi i parë. Dinamo ka shansin të përmirësojë gjithçka në fazën e katërt, pasi ka ende shumë javë dhe deri në fund të sezonit, situatat mund të ndryshojnë disa herë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb