Pas ngjarjes së rëndë të 22 shkurtit që ka tronditur qytetin e Civitanovës në Itali, ku një 20-vjeçar, Rikardo Mërkuri u mbyt në det, ka folur babai i tij Mario.
Sipas mediave italiane, i jati është i bindur se djali i tij i dha fund jetës në ujërat e akullta të portit të Civitanovës të premten e kaluar, pasi besonte se e kishte vrarë nënën.
“Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur”, ka deklaruar ai për mediat italiane.
Sipas familjarëve, mbrëmjen e së premtes ata kishin darkuar së bashku për të festuar ditëlindjen e Rikardos.
Më pas, babai ishte larguar nga shtëpia dhe gjatë asaj kohe mes nënës dhe djalit kishte shpërthyer një debat i ashpër.
Sherri kishte përfunduar me agresion fizik nga ana e të riut. Gruaja, Albana Kastriot, ishte gjetur nga bashkëshorti e shtrirë pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë.
“E ëma e donte marrëzisht. Edhe kur kishte gabim, ajo gjithmonë e mbronte”, ka rrëfyer babai i tronditur.
Albana Kastriot, me origjinë shqiptare dhe prej vitesh residente në Pollenza, fillimisht u dërgua në spitalin e Maceratës dhe më pas u transferua në spitalin rajonal të Torrette, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të kirurgjisë maksilofaciale.
Sipas bashkëshortit, gjendja e saj është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, trupi i 20-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit të Civitanovës që prej së dielës.
Familja, me prejardhje shqiptare dhe prej shumë vitesh e vendosur në Pollenza, është e njohur në komunitet. Përveç prindërve, Rikardo lë pas vëllain e madh Alessio dhe gjyshen Bedrie.
Babai ka treguar se edhe më herët kishte pasur debate mes nënës dhe djalit, por asgjë që të linte të kuptohej se situata mund të përfundonte në një tragjedi të tillë.
Ngjarja ka lënë të tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.
