Megjithese juglindja ndodhet e izoluar prej të shtunës, qeveria ka shmangur përgjegjësinë.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi sot në media se është vendosur ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin me qëllim normalizimin e qarkullimit në juglindje të vendit, i cili prej 4 ditësh është i paralizuar për shkak të dëmtimit masiv të rrugës Librazhd-Pogradec.
Ura e degraduar dhe e copëtuar në këtë aks për shkak të rrëshqitjes së sipërfaqes do të shembet dhe do të ndërtohet një urë e re.
“Mbetet ndikimi i reshjeve intensive, erozioni lumor që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive. Në mbledhjen e djeshme, datë 24 shkurt, u morën këto vendime:
Ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin. Prishja e urës ekzistuese dhe lehtësimi i ngarkesës në rrugën e rrëshqitur deri në ndërtimin e një skarpate natyrale.
Sistemi dhe disiplinimi i ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes.
Aksi Librazhd–Prrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës”, tha Kozeli ndër të tjera.
