Gjatë fjalimit të tij vjetor për Gjendjen e Unionit, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, krijoi një moment të fortë emocional duke i akorduar Medaljen e Nderit rreshterit të parë të Forcave Ajrore, Erik Slover, pilotit që u plagos gjatë një operacioni të rrezikshëm që çoi në arrestimin e ish-presidentit të Venezuela, Nicolás Maduro. Sipas Trump, Slover drejtoi një helikopter Chinook gjatë natës drejt kompleksit ushtarak ku ndodhej Maduro, duke zbritur me shpejtësi në një zonë të ruajtur rreptësisht.

Gjatë misionit ai u godit me disa plumba në këmbë dhe ijë, duke pësuar plagë të rënda, ndërsa vazhdon ende procesin e rikuperimit. Presidenti njoftoi gjithashtu se dhjetë ushtarakë të tjerë që morën pjesë në operacion do të nderohen në një ceremoni private që do të mbahet së shpejti në White House. Në të njëjtin fjalim, Trump prezantoi si surprizë një ish-të burgosur politik nga Venezuela, Enrique Márquez, i cili u ribashkua në sallën e Kongresit me mbesën e tij, Alejandra González.

Presidenti tregoi se Márquez ishte arrestuar nga forcat e sigurisë së regjimit pasi kishte kandiduar kundër Maduros dhe ishte dërguar në një burg famëkeq në Karakas, ndërsa familja e tij kishte frikë se nuk do ta shihte më. Sipas Trump, zhvillimet e fundit politike dhe bashkëpunimi me udhëheqjen e re të Venezuelës çuan në mbylljen e burgut dhe lirimin e qindra të burgosurve politikë. Momenti kulmoi kur Márquez hyri në sallë dhe përqafoi mbesën e tij mes duartrokitjeve të të pranishmëve, ndërsa presidenti e përshëndeti duke i uruar mirëseardhjen sërish në liri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb